Sulmuesi i Liverpool, Ben Woodburn, arriti kulmin e rritjes së tij duke shënuar gol për skuadrën e parë dhe duke hyrë në histori si golashënuesi më i ri në historinë e këtij klubi të lavdishëm. Ai shënoi golin e dytë, në minutën e 81-të, të ndeshjes së fituar 2-0 ndaj Leeds në “Anfield Road”, e cila çoi skuadrën e Jurgen Klopp në gjysmëfinalen e Kupës së Ligës. Ai u bë golashënuesi më i ri në historinë e Liverpool, teksa ishte 17 vjeç e 45 ditë, 98 ditë më i ri se Michael Owen kur shënoi golin e parë kundër Wilbledon në vitin 1997.
Woodburn i është bashkuar akademisë së Liverpool që me skuadrën U-7 pasi për herë të parë nisi ta godasë topin në Tattenhall, në jug të Chester ku luajti edhe për ekipin vendas të Tattenhall. Në moshën 10 vjeçare figuron në një fotografi gjatë një ndeshje me fanellën e Liverpool. Në moshën 15 vjeçare, si pasojë e aftësive të tij, në sezonin 2015-16 iu besua një vend në ekipin e Liverpool U-18. Këtë sezon ka qenë pjesë e rregullt e Liverpool U23 ku ka shënuar 5 gola në 10 ndeshje. Gjatë verës, edhe pse ishte 16 vjeç, shënoi në miqësoret kundër Fleetwood dhe Tranmere.
Ai debutoi në Premier League gjatë fundjavës së kaluar teksa u aktivizua në vend të Georginio Wijnladum, gjatë kohës shtesë në fitoren 2-0 ndaj Sunderland. Në nivel ndërkombëtar, Woodburn ka përfaqësuar disa herë Uellsin U-19. Në ditën e 17 vjetorit, këtë 15 tetor, ai firmosi një kontratë afat-gjatë për shtatë sezonet e ardhshme me Liverpool. Pas Owen dhe Gerrard, në “Anfield” shpresojnë të kenë gjetur një flamur të ri…
https://www.youtube.com/watch?v=emZ1c4r5Yz8