Kanë lindur me pritshmëri të mëdha. Pasardhësit e legjendave si Zinedine Zidane dhe Patrick Kluivert po kërkojnë të ndjekin rrugën e baballarëve në botën e futbollit. Natyrisht, nuk e kanë të lehtë, sepse ndiejnë mbi supe presionin e madh të (mbi)emrave. Maxim Gullit, i biri i Ruudit dhe nipi i madh i Johan Cruyff, ishte i fundit nga ky soj, që erdhi nga stoli për AZ Alkmaar dhe la gjurmën e tij të parë në futbollin holandez. Më poshtë po ju njohim me 11 futbollistë të rinj, që synojnë të ndjekin gjurmët gjigante të etërve të tyre, sipas parimit “bëmë baba të të ngjaj”:
Joe van der Sar, 21 vjeç
Ajax po shpreson që Joe van der Sar, biri i babait legjendar, Edwin, të ketë trashëguar të njëjtat gjene të portës. Joe e filloi karrierën e tij te Man United, ku babai i tij luajti për gjashtë vite, pastaj u transferua te Noordwijk, përpara se të nënshkruante me Ajax në vitin 2013, ku Edwin është drejtor klubi.
Maxim Gullit, 17 vjeç
Biri i Ruud Gullit dhe nipi i madh i Johan Cruyff, me siguri do t’i trashëgonte gjenet më të mira të futbollit. Maxim, lojtar mbrojtës, djali i Estelle Cruyff, luan për U-19 të AZ, por mori një dhuratë të bukur për Pashkë, sepse u thirr në një tjetër nivel. “Adoleshenti” i talentuar luajti në 19 minutat e fundit të përplasjes së ekipit të dytë të AZ me Twente, në kategorinë e dytë të Holandës, dhe ndihmoi në mbajtjen e portës së vet të pastër.
Zidane (Luca, Enzo dhe Theo)
Zinedine Zidane ka tre djem, që synojnë të ndjekin gjurmët e tij gjigante në futboll. Mesfushori Enzo, 24 vjeç, është aktualisht te Rayo Majadahonda, i huazuar nga Lausanne-Sport. 16-vjeçari Theo po kërkon të zhvillohet në akademinë e Real Madridit. Portieri Luca, 20 vjeç, debutoi me Real Madridin në mars. Më pas nuk ka pasur tjetër paraqitje me të bardhët.
Gudjohnsen (Andri Lucas, Sveinn Aron dhe Daniel Tristan)
Ish-sulmuesi i Chelsea, Bolton dhe Barcelona, Eidur Gudjohnsen, ka një djalë te Real Madridi, një tjetër te Barça dhe një tjetër në Itali. Sveinn, 20 vjeç, është i huazuar në Serie C, nga Ravenna te Spezia, ndërsa vëllai i vogël, Andri Lucas, është në akademinë e të bardhëve madrilenë. 16-vjeçari, i cili luan për U-18 të Islandës, u bashkua me akademinë e Realit verën e kaluar, ndërsa 11-vjeçari Daniel Tristan është te të vegjlit e Barcelonës. Vetë Eidur ndoqi gjurmët e babait të tij, Arnor, ndërsa luante për Islandën në vitin 1996.
Tyrese Campbell, 19 vjeç
I huazuar te Shrewsbury Town këtë sezon, ylli i ri i Stoke, Tyrese, po kërkon të marrë përvojën që mund ta ndihmojë të bëhet po aq prolifik si babai i tij. Futbollisti i ri, që u bashkua me Stoke nga akademia e Manchester City në vitin 2016, është djali i ish-sulmuesit të Arsenalit, Everton dhe West Brom, Kevin Campbell. Tyrese i shënoi golat e tij të parë për Stoke në “FA Cup”, në janar, përpara se të huazohej te Shrews për këtë sezon.
Harvey Neville, 16 vjeç
Me dy fitues të mëdhenj te Manchester United, babain (Phil) dhe xhaxhain (Gary), kishte pak shanse që Harvey të mos i hynte rrugës së futbollit. 16-vjeçari, që luan në qendër të mesfushës, ose në krah, e filloi karrierën e tij te “Djajtë e Kuq”, para se të nisej te Manchester City, ku fitoi turneun e Premier League për U-13. Ai u transferua në Valencia, kur babai dhe xhaxhai morën përgjegjësinë e drejtimit të ekipit të parë, përpara se të kthehej në “Old Trafford” verën e kaluar.
Maurizio Pochettino, 18 vjeç
Përfundimisht, një (mbi)emër, që tifozët e Tottenhamit i ngroh menjëherë. Maurizio është pasardhësi i trajnerit të “Spurs”, Mauricio Pochettino. I riu argjentinas përshkruhet si një futbollist me vizion organizativ dhe sy për golin. Ai i ka treguar tashmë aftësitë, këtë sezon, për U-23 dhe U-18 të Tottenham.
Justin Kluivert, 19 vjeç
Emri mund ta ketë vënë në pah, por është talenti i Justin Kluivert, ai që e ka bërë të lulëzojë në një moshë kaq të re. Biri i Patrick Kluivert u rrit në akademinë e Ajax dhe tani luan në Serie A me Romën, pas nënshkrimit të verës së kaluar për shumën e 14.9 milionë stërlinave. Manchester Untied, gjithashtu, besohet të jetë i interesuar për djaloshin e talentuar holandez, që ka shënuar 2 gola dhe ka dhënë 5 asiste deri tani, këtë sezon.
Daniel Maldini, 17 vjeç
Dinastia “Maldini” vazhdon me Danielin, duke ndjekur gjurmët e babait Paolo dhe të gjyshit Cesare në Milano. Daniel luan në anën e kundërt të fushës nga babai i tij, teksa ka shfaqur talent si një sulmues i dytë. Milani është impresionuar nga adoleshenti i talentuar, i cili ka marrë pseudonimin “Malda”, sa pritet t’i ofrojë një marrëveshje të re, pavarësisht se kontrata e tij aktuale skadon në vitin 2021
Giovanni Simeone, 23 vjeç
Biri i trajnerit të Atletico Madrid, Diego Simeone, është një nga të paktët në këtë grup, që ka krijuar tashmë portretin e vet në futboll. Giovanni, që luan si sulmues, është pjesë e Fiorentinës në Serie A, por është zhvilluar si futbollist te River Plate. Zakonisht luan si sulmues i dytë dhe ka shënuar 9 gola deri tani, këtë sezon, duke përfshirë edhe një për kombëtaren argjentinase.
Erling Haaland, 18 vjeç
Manchester United ka tentuar ta marrë Erling Haaland, djalin e Alf-Inge, ish-lojtar i Manchester City, karriera e të cilit u mbyll pas një ndërhyrjeje të tmerrshme me taka në gju nga legjenda e “Djajve të Kuq”, Roy Keane. Ai po luan te Molde aktualisht, pasi u afrua aty nga Ole Gunnar Solskjaer. Trajneri aktual i Manchester United e ka krahasuar 18-vjeçarin me “buldozerin” Romelu Lukaku. Ai është një qendërsulmues i mrekullueshëm, i fuqishëm fizikisht dhe me avantazhe të dukshme në lojën ajrore.