Milani përfundon sërish në telashe. Ditën e mërkurë ka ardhur një tjetër “padi” nga UEFA për faktin se nuk arriti që të barazonte bilancin në ushtrimet e mbyllura në vitin 2016, 2017 dhe 2018. Kuqezinjtë e quajnë “akt të detyrueshëm” nga UEFA, por beteja vazhdon. Eksperti i financës në Itali, Marco Bellinazzo, që shkruan te prestigjozja “Il Sole 24 Ore”, ka sqaruar situatën në një intervistë të dhënë për “MilanNews.it”. “Çdo pranverë, UEFA vlerëson trevjeçarin e shkuar dhe ka hyrë në lojë vlerësimi i vitit 2018 që ka sjellë një gropë prej 126 mln eurosh. Dy vitet e mëparshme, sakaq, ishin objekt i sanksionit të parë. Në fushën ligjore, nuk mund të ndëshkosh dy herë për të njëjtën shkelje”.
“Viti i tretë duhet të ishte ai ku klubi duhet të respekte parametrat e kërkuar. Por, u bë më keq se tre vitet e mëparshme, kur ishte në drejtim ende presidenca e Berlusconit. Kufiri është një humbje prej 30 mln eurosh, por u arrit që humbja të shkonte në 200 mln euro. Praktikisht, merkato e kryer nga Fassone dhe Mirabelli”.
Po tani çfarë do të ndodhë? Ja si e shpjegon Belinazzo: “Do të ketë përballje, më pas do të vijë dënimi. Zakonisht, niset nga dënime të ndërmjetme si voluntary agreement apo settlement agreement. Por, duke qenë se ka pasur sanksione të lidhura me vitin e shkuar, UEFA e quan Milanin përsëritës. Kjo mund të sjellë përjashtim nga kupat e Europës”.
“Milani tani duhet të shpjegojë se pse nuk ka faj për ato bilance. Rrezikohet mur kundër mur, që mund të sjellë sërish apel në TAS/CAS”. Por, a ka precedentë? “Po, klube si Galatasaray, që kanë pasur settlement agreement dhe nuk e kanë respektuar. Më pas, u përjashtuan nga kupat e Europës. Këtu është rast ndryshe. Nëse vitin e shkuar përjashtimi nga kupat dukej i ekzagjeruar, këtë herë rreziku për të mos parë Milanin në Champions apo Europa League mund të jetë serioz”.