Më 17 dhjetor, në stadiumin “O2 Arena” të Londrës do të zhvillohet revanshi i peshave të rënda në boks mes boksierëve britanike Tony Bellev dhe David Haje. Në sfidën e parë, të zhvilluar në mars të këtij viti, Bellev fitoi ndaj ish-kampionit të botës në peshat e rënda me “KO teknik” në raundin e 11-të. Haje u dëmtua në “Thembrën e Akilit” dhe u operua, por tashmë është gati për t’u rikthyer në ring për t’u hakmarrë për atë humbje. Por Bellev nuk i trembet sfidës, madje shprehet optimist dhe kërcënon patriotin e tij: “Do ta fitoj edhe revanshin, madje kjo sfidë do t’i japë fund karrierës së Haje”, u shpreh Toni Bellev për mediat britanike.
Bellev është ish-kampion bote në peshën “cruiserweight” në kategorinë “WBC” dhe kjo do të jetë sfida e dytë në peshat e rënda, ku synon të bëjë një tjetër rrugëtim të lavdishëm drejt titullit. “Unë besoj se mund të bëj të njëjtën gjë edhe në peshën e rëndë, të shpallem kampion bote. Kjo periudhë ka qenë e mirë, pasi jam stërvitur dhe po përgatitem për të mposhtur sërish Haje. Por e ardhmja do të rezervojë të tjera ngjarje të mëdha për mua, pasi vitin tjetër synoj titullin kampion edhe në peshat e rënda”, u shpreh boksieri Toni Bellev, që në 2018-n synon një tjetër sfidë britanikësh, këtë herë me kampionin e botës të kësaj peshe, Entony Xhoshua.