Shkup, 15 janar – Ka vazhduar trendi i largimeve nga KF Vardar. Në fakt nga klubi nuk po largohen vetëm lojtarët titullarë, por njëkohësisht edhe lojtarët nga akademia.
Së fundmi nga ky klub u largua edhe njëri prej futbollistëve më të talentuar Besar Guxhufi, i cili deri më tani ka luajtur për juniorët por edhe për ekipin senior të Vardarit. Por, ja që tani futbollisti i talentuar po largohet dhe karrierën do të vazhdojë te anëtari i Ligës së parë, KF Bellasica nga Strumica.
Ka qenë trajneri Gjore Jovanovski, i cili tani drejton KF Bellasica, “fajtori” kryesor që ka bërë që Guxhufi të transferohet te skuadra nga Strumica, duke marrë parasysh se e ka njohur dhe e ka përcjell sulmuesin e ri derisa ishte pjesë e Vardarit. Një humbje e madhe për Vardarin, që po humb një lojtar të talentuar siç është Guxhufi, por në anën tjetër një përforcim i madh për Bellasicën, e cila në sezonin pranveror do të tentojë të largohet nga vendi i parafundit dhe njëkohësisht të sigurojë mbijetesën. (koha)