Patriot LUMANI
Strugë, 3 shkurt – Belica e Sipërme, një nga lokalitetet e Strugës me potencial zhvillimi, sidomos të turizmit malor, do të fitojë strukturën e re drejtuese të BL-së, në funksion të një impulsi të ri zhvillimor, të thonë nga pushteti vendor. Gjithashtu nga pushteti vendor ngrenë nevojën për vendosjen njëherë e mirë të një rregullimi të mirëfilltë të këtij fshati, që tashmë është shndërruar në një lokacion atraktivë për shtëpi pushimi. Nga aty informojnë se gjatë takimit të kryetarit të Komunës së Strugës, Mustafa Zabzuni, me një përfaqësi nga Belica e Sipërme, është interesuar për problemet me të cilat përballen banorët e këtij rajoni dhe shprehu mbështetjen e tij për kërkesat e tyre.
Ndërkohë, sekretari i Komunës së Strugës, Krenar Lloga, duke iu referuar projekteve dhe ideve në rrafshin e zhvillimit, informoi për gazetën KOHA se vetëm pak kohë më parë, në Komunën e Strugës në një takim me përfaqësuesit e ndërmarrjeve ELEM dhe MEPSO, u diskutua për donacion projekt nga ana e tyre për një ski-lift (teleferik), me qëllim zhvillimin e turizmit dimëror. Nëse ky donacion do të realizohet do të jetë një ndryshim cilësor për zhvillimin e turizmit malor. Belica e Sipërme mori një vëmendje të theksuar mediatike para disa viteve, kur banorët me origjinë shqiptare nga ky fshat, hodhën gur-themelin për ndërtimin e xhamisë, hap ky që hasi në kundërshtime nga individ dhe faktor brenda dhe jashtë këtij fshati të cilët nuk e pritën mirë iniciativën për ndërtimin e xhamisë. Pavarësisht kundërshtisë të motivuar edhe politikisht nga disa segmente politika xhamia u ngrit dhe tashmë është funksionale. Sot, në këtë fshat nuk ka banor të mirëfilltë rezident.
Belica e Sipërme është një lokalitetet, i cili gradualisht po kthehet në një vend ekskluziv të turizmit malor dhe atij dimëror, falë pozitës së tij. Sipas banorëve me origjinë nga ky fshat, dikur ky vend ka qenë shumë i zhvilluar dhe ka qenë një qendër e rëndësishme e tregtisë ku vinin tregtar të shumtë nga qytete të rëndësishme të rajonit. Fshati ka qenë i banuar nga vllahët dhe shqiptarët, ndërsa si pasojë e largësisë nga qyteti dhe terreni malor, gradualisht banorët pas Luftës së Dytë Botërore gradualisht e kanë braktisur fshatin.
Familja e fundit shqiptare nga ky lokalitetet, është larguar në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar. Në pjesën më të madhe familjet, si shqiptare ashtu dhe ato vllahe, nuk kanë shitur pronat dhe tashmë po rikthehen duke ndërtuar shtëpiza pushimi.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.