Shkup, 4 gusht – Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sot realizoi takim pune me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Çarlls Garet. Ministri Bekteshi me këtë rast tha se Maqedonia dhe Mbretëria e Bashkuar kanë bashkëpunim të mirë ekonomik dhe se i njëjtë mund të intensifikohet në më shumë fusha. Në takimin në fjalë u fol për mundësitë dhe lehtësimet që ofrohen për kompanitë e jashtme por duke mos lënë anash një nga reformat e parapara të qeverisë së re për të ju dhënë mundësi dhe hapësirë të njëjtë kompanive vendore dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për zhvillim më të mirë të tyre. Nga të dyja palët u shpreh dëshira për thellimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe për rritjen e numrit të investitorëve britanikë në Maqedoni. Ministri Bekteshi shprehu falënderim për përkrahjen që vendi ynë merr nga Britania e Madhe lidhur me hapat që po ndërmerr Ministria e Ekonomisë dhe qeveria në tërësi, për të arritur sukses në procesin eurointegrues të vendit, dhe për një zhvillim më të madh ekonomik. Ambasadori Garet falënderoi ministrin Bekteshi për takimin dhe mundësinë e avancimit të bashkëpunimit më të madh mes kompanive britanike që operojnë në vend, dhe qeverisë së re, për të cilën gjë mori mbështetje të plotë nga ana e ministrit Bekteshi.