Përmes shkurtimit të shpenzimeve me ribalansin e buxhetit, Qeveria hap mundlsi për pako të re të masave për qytetarët, deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në emisionin e sontëm “10 minuta” në TV 21.
Ai theksoi se me ribalansin e Buxhetit do të ketë shkurtim të konsiderueshëm të shpenzimeve lidhur me shpenzimet joproduktive dhe shpenzimet tjera të shfrytëzuesve buxhetorë.
Në këtë mënyrë, sipas Bekteshit, shqyrtohet mundësia nëse ka nevojë për masa të reja me qëllim të vetëm që t’u ndihmohet qytetarëve.
Lidhur me çështjet me gjendjen me vajin për ushqim, ministri Bekteshi theksoi se Maqedonia e Veriut i ka sasitë e nevojshme për kënaqjen e nevojave të brendshme.
“Në opinion është krijuar mendim se ne 100 për qind importojmë nga Serbia, që nuk është e saktë. Vaj i parafinuar dhe vaj luledielli, Maqedonia e Veriut kryesisht importon nga Republika e Bullgarisë dhe për momentin importohet nga Ukraina, sepse tregtarët, me siguri në bashkëpunim me institucionet shtetërore, kanë hapur korridore të ndryshme që të importohet vaji”, tha Bekteshi.
Ai gjithashtu u përgjigj në pyetje si është vendosur që të eksportohet vaji ushqimor në Shqpëri, gjegjësisht theksoi se krizën duhet ta menaxhojmë së bashku si rajon.
“Me qëllim që të jemi më solidarë dhe ta rrisim këmbimin tregtar midis shteteve tona menduam se është përkatëse të eksportojmë vaj të rafinuar ushqimor. Sa i përket vajit të parafinuar dhe vajit të lulediellit, për momentin kemi sasi të mjaftueshme për prodhim. Ulja e çmimit të vajit për gatim varet nga bursa botërore dhe çmimet importuese. Por, nëse hapen të gjitha korridoret e importit nga Ukraina, cili është prodhuesi më i madh i lulediellit jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë, atëherë besoj se do të kishte stabilizime të çmimeve”, tha Bekteshi.
Ministri Bekteshi njëherit sonte iu përgjigj kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, duke theksuar se për të është nder që është ministër i Republikës së Maqedonisë, por edhe përgjegjësi sepse i përfaqëson të gjithë qytetarët në shtet dhe të gjithë etnive.
“Sa i përket deklaratës time unë u deklarova se sipas kombësisë jam shqiptar dhe ky është realitet, njëjtë siç është realitet se mbi 600.000 shqiptarë jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Aq sa i përket Maqedonia e Veriut Mickoskit, aq më takon edhe mua. Aq sa kujdesem unë, aq duhet të kujdeset edhe ai. Nuk duhet ta ringjallim nacionalizmin, të mos e polarizojmë shoqërinë me tema të tilla sepse kemi punë më të rëndësishme. Fokusi kryesor për ne si Qeveri, por edhe për ta si opozitë, duhet të jetë përmirësim i standardit të jetesës së qytetarëve”, deklaroi Bekteshi.