Shkup, 20 mars – Nesër në seancë të Qeverisë do të “ngrijnë” çmimet e orizit dhe vezëve, konform çmimeve të këtij muaji – ka paralajmëruar Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Gjithashtu u paralajmërua se me vendim të Qeverisë, do të kufizohet eksporti i vezëve me qëllim që të mos ketë mungesë në tregun e brendshëm.
Vendimi do të hyjë në fuqi sapo të publikohet në “Gazetën Zyrtare”.
“Nuk do të jetë çmimi i sotëm, por do të jetë një nga çmimet e marsit, por nuk do ta them, që të mos përgatiten tregtarët dhe prodhuesit. Por, kjo nuk do të thotë se nuk kemi besim tek bizneset”, tha Kreshnik Bekteshi.
Ministri Bekteshi u shpreh i prerë. “Për Pashkët dhe Fitër-Bajramin nuk do të ketë mungesë dhe rritje të çmimeve të këtyre prodhimeve”, tha ai. I pyetur nëse për shkak të festave të Pashkëve dhe kërkesës për eksport, vendi mund të përballet me mungesë të këtyre prodhimeve.
“Për çmimin e vezëve, jemi më të lirët në rajon, kërkesat janë të shumta. Nuk do të lejojmë rritje të çmimeve për shkak të kërkesave në rritje për Pashkë dhe Ramazan”, tha Kreshnik Bekteshi.
Lidhur me kërkesën për “ngrirjen” e çmimeve të sheqerit dhe të miellit, Ministri Bekteshi bëri të ditur se për këto prodhime, për momentin nuk do të ketë masa.
Vendimi për “ngrirjen” e çmimeve të vezëve dhe orizit është i treti që miratohet nga Qeveria. Paraprakisht “ngrirje” të çmimeve u miratuan për bukën, pastat, qumështin dhe bulmetin. Atëherë, konform vendimeve qeveritare, u hoq edhe rryma elektrike e subvencionuar për kompanitë e ushqimit.