Tetovë, 12 nëntor – Në seancën e sotme të Qeverisë që duhet të mbahet në Tetovë do të theksohen shtatë opsionet për zhvillim të Kodrës së Diellit të cilat janë ofruar në studimet fizibilite që e prezanton shtëpia konsulente “Prajs Uoters Haus Kupers” në ngjarjen e djeshme në qendrën e skijimit, njofton KOHA.
Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi thotë se duke marrë parasysh rëndësinë rajonale të Kodrës së Diellit, informacione do të marrin edhe kryetarët e komunave të Pollogut të cilat do të jenë në seancë qeveritare në Tetovë.
“Studimi fizibilit na dha drejtime të cilat ne si Qeveri do t’i diskutojnë me qytetarët dhe ESM-në. Theksoj tre opsione, i pari të ketë partneritet privat publik, i dyti koncesion dhe i treti shitje të plotë të kapaciteteve hotelerie dhe akomodimit sepse punojnë me humbje. Ideja për partneritet privat publik është në qarkullim për shkak të investimeve që tashmë i bëjmë me rrugën”, deklaroi sot ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në Tetovë ku është në inspektim të disa aktiviteteve në terren.
Ai theksoi se në prezantimin është theksuar edhe ideja për ndërtimin e gondolës nga Tetova deri në Kodër të Diellit.
“Sipas kalkulimeve të konsulentëve, ndërtimi i gondolës do të kushtojë 23 milionë euro. Vitin e ardhshëm do të fillojnë me projektimin e gondolës që do të kushtojë 200 deri 300 mijë euro, ndërsa pastaj do të vendosim nëse do të shkojmë me partneritet privat publik apo investim të drejtpërdrejt me ESM-në”, tha Bekteshi. Studimi i plotë fizibilit do të publikohet në faqen e internetit të Qeverisë. (koha.mk)