Shkup, 22 shtator – Jam i bindur se deri në fund të javës do të publikohet pakoja e katërt e masave financiare për mbështetje të ekonomisë dhe qytetarëve për përballje me pasojat nga pandemia me Kovid-19 të cilat do të jenë më të targetuara për më të prekurit nga kriza kovid, porositi sot ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
“Tashmë të gjitha institucionet i kanë dorëzuar propozimet dhe projeksionet e tyre për pakon e katërt të masave ekonomike. Bashkë me kryetarin e Qeverisë i cili udhëheq me ekipin ekonomik tashmë i kemi shqyrtuar të gjitha propozimet nga ana e odave ekonomike. Mbështetje për kompanitë dhe për qytetarët gjithsesi do të ketë, por nuk do të doja të hyja në hollësi. Besoj se deri në fund të javës edhe kryetari i Qeverisë bashkë me ekipin ekonomik do të dalë dhe do t’i prezantojë të gjitha masat të cilat do të fillojnë të realizohen menjëherë pasi të miratohen në Qeveri”, tha Bekteshi në përgjigjen e pyetjes në konferencën e sotme për media në Qeveri.
I pyetur se a do të ketë kushte të reja për aplikim për ndihmë shtetërore, tha se masat do të jenë më të targetuara.
“Duke pasur parasysh se jemi më me shumë përvojë sa i përket pandemisë, gjithsesi se do të ketë edhe masa shtesë për mbështetje. Do të jenë pak më të targetuar për ata të cilët ishin më të prekur, por në hollësi nuk do të doja të hyja. Për momentin kur do të konfirmohen të gjitha masat bashkërisht me odat ekonomike, përfshirë gjithsesi edhe sindikatën, do t’i publikojmë. Unë jam i bindur se kjo do të jetë deri në fund të kësaj jave”, tha Bekteshi.