Shkup, 1 nëntor – Sot në Qendrën informative të BE-së në Shkup me një solemnitet rasti u shënua përfundimi i projektit Twinning Light “Forcimi i Kapaciteteve të Byrosë së Metrologjisë për Integrimin e Tregut të Brendshëm”,financuar nga programi IPA TAIB 2012. Nëpërmjet këtij projekti përgjatë tetë muajve është ndarë eksperienca çeke për të përmirësuar kapacitetet e stafit të byrosë së metrologjisë,që përfshinte një seri trajnimesh profesionale,rritjen e kompetencave të të punësuarve në Byron e metrologjisë dhe punëtori tematike për të sjellë byronë më afër bizneseve në vend duke përcjellur kështu përvojat evropiane në arritjen e rezultateve në fushën e metrologjisë.
Duke theksuar rëndësinë e formimit të një tregu të vetëm në BE dhe rrjedhimisht me këtë lëvizjen e lirë të mallrave,që do të thotë tejkalimin e të gjitha pengesave teknike, ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se: “Është fakt se infrastruktura cilësore kontribuon ndjeshëm në kapërcimin e pengesave teknike,për tregti të ndershme dhe përkujdesje ndaj konsumatorit. Të gjithë ne pajtohemi se pa një sistem metrologjik të zhvilluar nuk mund të flasim për tregti të drejtë apo mbrojtje të konsumatorit “.
Sipas ministrit Bekteshit edhe pse ky projekt realizohet nëpërmjet fondeve evropiane,për qëllim ka kryesisht forcimin e kapaciteteve të Byrosë dhe ka rol kyç në miratimin dhe harmonizimin e legjislacionit teknik nacional me atë të Bashkimit Evropian dhe aplikimin e saj.”Byroja e Metrologjisë është institucion që lidhet ngushtë me qytetarët dhe bizneset, dhe si i tillë paraqet element të domosdoshëm në sigurimin e cilësisë së produkteve, rritjen e produktivitetit dhe konkurrencës në treg, me një fjalë avancimin e ekonomisë së vendit”, tha Bekteshi.
Përfaqësuesi i delegacioni të BE-së në Maqedoni Jaromir Levichek theksoi se përmirësimi i efikasitetit të trupës metrologjike në përputhje me standardet dhe kërkesat evropiane është një parakusht për lëvizjen e lirë të mallrave ndërmjet shteteve anëtare të BE-së dhe Maqedonisë në tregun e vetëm evropian.”Masat në shumë aspekte janë veçanërisht të rëndësishme për kompanitë dhe bizneset e tyre. Infrastruktura dhe njohuritë metrologjike sjellin besim dhe përfitim në fushën e cilësisë, sigurisë dhe shëndetit “, tha Levichek.
Drejtori i Byrosë së Metrologjisë, Robert Vasilkoski, theksoi se besimi në rezultatet e matjes është shumë i rëndësishëm, qoftë për analiza, teste, kalibrime apo kontrolle cilësore të proceseve teknologjike. Ai vuri në dukje se Byroja si bartëse e infrastrukturës nacionale të metrologjisë kontrollon dhe është element kyç në ndërtimin e cilësisë në vend dhe është një nga mbështetësit më të rëndësishëm të progresit shkencor dhe teknologjik.