Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi do të udhëtojë për në Trieste, ku nesër do të marrë pjesë në Konferencën e nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor, si pjesë e delegacionit të Republikës së Maqedonisë, të kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev.
Siç informon Kabineti i Bekteshit, në konferencën e cila po organizohet në suaza të “Procesit të Berlinit”, krahas temave të deritanishme të cilat përfshijnë projekte infrastrukturore për ndërlidhje transportuese dhe energjetike dhe masa reformuese për implementimin e tyre, bashkëpunim të të rinjve, çështjet e hapura dypalëshe, kriza e emigrantëve dhe lufta me terrorizmin, pritet temë dominuese të jetë integrimi ekonomik rajonal. “Rëndësia e bashkëpunimit të papenguar tregtar në rajon, politika investuese, projektet energjetike dhe infrastrukturore do të jenë temat në të cilat ministri Bekteshi do të përqendrohet në fjalimin e tij para kolegëve në Samit”, theksojnë nga Kabineti i ministrit të Ekonomisë.