Shkup, 14 janar – Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi mori pjesë në Samitin Rajonal të Turizmit, i cili u mbajt në Tiranë nën organizim të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara, ngjarje e cila mblodhi ministrat e turizmit nga Italia, Greqia, Kroacia, Sllovenia, e Serbia, njofton KOHA.
Në këtë takim morën pjesë edhe agjencitë lidere të turizmit në rajon, përfaqësues të hoteleve më të rëndësishme, të gjithë operatorët turistikë në Shqipëri si dhe kryetarë të bashkive të Shqipërisë.
Tema e samitit ishte “Turizmi, solidaritet dhe qëndrueshmëri”, ku u theksua që të ofrohet sa më shumë ndihmë për rimëkëmbjen e zonave të prekura nga tërmeti që preku Shqipërinë, si dhe të mbështete turizmi i këtij shteti.
Ministri Bekteshi gjatë fjalimit të tij theksoi se ka nderin që të jetë i pranishëm në këtë Samit Rajonal, para së gjithash sepse Republika e Shqipërisë nuk është vetëm fqinji ynë, por edhe një vend miqësor dhe partner strategjik i Maqedonisë së Veriut. Ministri shtoi se fqinjët janë ata që gjithmonë ndihmojnë të parët prandaj dhe ne si qeveri por edhe si popull i Maqedonisë së Veriut u solidarizuam menjëherë dhe i dolëm në ndihmë Shqipërisë në momentet kur u prek nga tërmeti.
“Më 26 nëntor, Shqipëria pësoi një tërmet të madh shkatërrues që shkaktoi jo vetëm dëme të mëdha materiale, por edhe humbje jete. Vendi ynë është vend solidariteti. Shkupjanët ende e kujtojnë tërmetin katastrofik të vitit 1963. Atëherë ishte thelbësore ndihma që vinte nga të gjitha anët e botës dhe të gjitha kombet e botës dhe ne kështu rindërtuam kryeqytetin”, potencoi Bekteshi në fjalimin e tij.
Ai kujtoi se menjëherë pas tërmetit shkatërrues në Shqipëri, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut solli vendim dhe dërgoi ndihmë financiare dhe ekipe prej 50 personave për shpëtim dhe ndihmë të parë për qytetarët të cilët u prekën nga tërmeti.
“Por këto fatkeqësi natyrore mbeten të gdhendura dhe lënë një shenjë të madhe jo vetëm tek banorët, por edhe tek qytetet, zonat dhe rajone të tëra. Fatkeqësitë natyrore që tani ekzistojnë shumë më tepër se më parë janë duke dëmtuar seriozisht zhvillimin e turizmit në të gjithë botën. Sipas Forumit ekonomik botëror, industria e turizmit përbën 9.8% të PBB-së globale, mbështet 277 milionë vende pune në të gjithë botën dhe përfaqëson 6% të eksporteve globale. Për më tepër, industria ka potencial për rritje të mëtejshme, nga 1.1 miliardë vizitat aktuale turistike ndërkombëtare në 1.8 miliardë vizita deri në vitin 2030. Fatkeqësitë natyrore vijnë si rezultat i ndryshimit të kushteve të motit në të gjithë botën të shkaktuara nga ndryshimet klimatike. Prandaj është e rëndësishme që industria e turizmit të ketë gjithmonë në mendje rrezikun që mund të ndodhë një fatkeqësi natyrore dhe kështu të sigurojë qëndrueshmërinë e biznesit. Kjo kryesisht nënkupton shmangien e krijimit të vendeve turistike në zonat që mund të preken nga fatkeqësitë natyrore për shkak të vendndodhjes së tyre gjeografike.Por përveç zgjedhjes me kujdes të destinacioneve turistike, është e rëndësishme që kompanitë e udhëtimit të krijojnë plane emergjence për katastrofat.Kjo do ta bëjë më të lehtë për vendin në tërësi të rregullohet më shpejtë nga katastrofat dhe në të njëjtën kohë do të zvogëlojë dëmet nga katastrofa, nënvizoi Bekteshi.
Ministri Bekteshi tha se Shqipërisë tani i duhet një rinovim i madh prandaj u bëri thirrje shteteve rajonale dhe gjithë botës që t’i dalin në ndihmë për rimëkëmbje sa më të shpejtë.
“Tërmeti i 26 nëntorit 2019 në Shqipëri, ku mijëra shqiptarë humbën shtëpitë e tyre dhe më shumë se 5000 njerëz u strehuan brenda 24 orëve në hotele, ishte një shembull unik sesi industria turistike nuk është vetëm biznes, por dhe humanizëm, sepse turizmi me strukturat e tij tregoi se është një mbështetës i rëndësishëm i krizës humanitare. Por tani pason një periudhë e rinovimit në Shqipëri. Për këtë rinovim së pari do të nevojitet shumë ndihmë dhe mbështetje jo vetëm nga rajoni, por edhe nga e gjithë bota. Mbështetje për të gjithë ata që humbën shtëpitë e tyre për t’u pajisur përsëri me çati mbi kokë. Mbështetje për të rindërtuar sërish vendet e prekura, rrugët, infrastrukturën.Mbështetje për vendet turistike të prekura. Mbështetje për ekonominë e përgjithshme të Shqipërisë.Dua të shfrytëzoj këtë Samit dhe këtë ngjarje sot për t’u bërë thirrje të gjitha vendeve në botë të ndihmojnë në rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti shkatërrues në Shqipëri. Ashtu siç ndihmuan në rindërtimin e Shkupit gati 60 vjet më parë. Maqedonia e Veriut do të vazhdojë me të gjitha mjetet e mundshme të jetë në dispozicion të Republikës së Shqipërisë në mënyrë që të tejkalon katastrofën që i ka ndodhur”, tha Bekteshi.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit i Shqipërisë në fjalimin e tij i falënderoi të gjithë shtetet për mbështetjen e dhënë gjatë tërmetit në nëntor të vitit të kaluar.
“Mbijetesa në fatkeqësi të tilla natyrore dhe solidariteti është një praktikë që ne dëshirojmë të ndajmë me ju në këtë Samit dhe të theksojmë se turizmi si industri është shtylla kryesore e ekonomisë, por edhe i humanitetit dhe dhe menaxhimit të krizave, dhe këtë e dëshmon prania e 12 delegacioneve që janë sot këtu, si asnjëherë më parë për një çështje të përbashkët”, ceku Klosi.
Kreu i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili, tha në një videomesazh para të ftuarve se mbështetja politike është thelbësore për suksesin në turizëm.
“Samiti i sotëm është çelësi për rimëkëmbjen e turizmit shqiptar dhe besoj se sektori i turizmit në Shqipëri është gati për këtë,” ka deklaruar Pololikashvili. (koha.mk)