Stokholm, 24 qershor – Republika e Maqedonisë së Veriut është destinacion atraktiv me mundësi të mëdha për investime, ka potencuar Ministri i Ekonomisë, z. Bekteshi, para komunitetit të biznesit në Stokholm të Suedisë.
Ministri i ekonomisë të Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi gjatë takimit zyrtar që po zhvillon në Mbretërinë e Suedisë, në Konferencën ministrore në organizim të Ministrisë së Punëve të jashtme të Suedisë dhe Komisionit Evropian, ka shpalosur potencialin për investime që disponon Maqedonia e Veriut, transmeton KOHA.
Ministri Bekteshi vuri theksin te klima shumë pozitive e të bërit biznes, lehtësirat për investitorët, kapacitetet e përgjithshme të Maqedonisë së Veriut në aspektet e investimeve strategjike, si dhe gatishmërinë e tij dhe institucioneve të presin investitorët.
Ministri Bekteshi para të interesuarve të shumtë, investitorëve potencial dhe biznesmenëve suedez prezantoi projektet strategjike dhe mundësitë për investim në Maqedoninë e Veriut me fokus të veçantë në sigurinë e investimeve por edhe me arritjet për procesin integrues euro-atlantik.
Lidhur me këtë aktivitet për tërheqjen e investitorëve, Ministri Bekteshi ka theksuar se para komunitetit të biznesit në Suedi, prezantoi projektet strategjike dhe mundësitë për investime në vendin Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se Ministria që drejton ai dhe shteti, ofron kushte shumë të mira për investitorët.
“Republika e Maqedonisë së Veriut është destinacion atraktiv me mundësi të mëdha për investime”, ka potencuar Ministri i Ekonomisë, z. Bekteshi.(koha.mk)