Shkup, 19 shkurt – Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, mori pjesë në nënshkrimin e Marrëveshjes për Partneritet Publik-Privat pas modelit ESKO për ndriçimin publik ndërmjet komunave Makedonska Kamenica dhe Çeshinovo- Obleshevë si shfrytëzues dhe Telekomit të Maqedonisë SHA – Shkup, njofton KOHA.
Ky projekt është pjesë e Programit rajonal të efikasitetit energjetik të Republikës së Maqedonisë, i cili mbështet efikasitetin energjetik me fokus në sektorin publik, përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) për çka është siguruar mbështetje financiare nga Korniza Investuese e BE-së për Ballkanin Perëndimor.
“Me Ligjin e ri për Efikasitetin energjetik të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut më 05.02.2020 dhe që zyrtarisht hyri në fuqi prej dje, vendi ynë plotësisht zbaton rregullat përkatëse për efikasitetin energjetik të Bashkimit Evropian. Më e rëndësishmja është se, ligji i ri do të mundësojë realizimin e investimeve dhe masave të nevojshme në fushën e efikasitetit energjetik, duke ndjekur shembujt pozitiv nga vendet e BE-së dhe rajoni, ku efikasiteti energjetik sjell përfitime në shumë nivele, si për qytetarët, ashtu edhe për ekonominë në përgjithësi . Ndër të tjera, ligji do të mundësojë realizimin e kontratave afatgjata të shërbimeve të energjisë nga ofruesit e shërbimeve të energjisë – ESCO. Kjo zgjidhje ligjore specifikon dispozitat dhe marrëveshjet model që mundësojnë zbatimin e projekteve të përmirësimit të efikasitetit energjetik, si për ndriçim efikas, ashtu edhe për investime të tjera në pajisjet dhe instalimet e energjisë, të cilat përfshijnë, ndër të tjera, rikonstruim nëpër ndërtesa. Ky model i ri, i cili është duke u zbatuar për herë të parë, në thelb do të sjell përfitime për autoritetet publike, pasi që nuk kërkohet financim paraprak nga buxheti i RMV. Autoritetet publike me këtë model kanë mundësi të ofrojnë shërbime më të mira për qytetarët në bazë të kursimeve të realizuara të energjisë elektrike (duke zbatuar masa të efikasitetit energjetik) dhe të paguajnë koston e rinovimit të energjisë përmes faturave të energjisë elektrike”, theksoi ministri Bekteshi pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Ministri informoi se ky projekt fillimisht përfshinte pesë njësi pilot të vetëqeverisjes lokale: Vallandovën, Makedonska Kamenicën, Radovishin, Vasilevën dhe Çeshinovo – Obleshevën.
Procedurat për Partneritet Publik Privat për komunat Makedonska Kamenica dhe Çeshinovo –Obleshevë si pilot projekte u implementuan me sukses, duke zgjedhur kështu ofertuesit më të favorshëm të pranishëm sot me qëllim të nënshkrimit të Marrëveshjeve për shërbime energjetike me përdoruesit e ardhshëm të shërbimit të energjisë, pra komunat e zgjedhura që morën pjesë në projekt. Në fazën e dytë të zbatimit, Projekti do të zgjerohet me projektet ESKO për të instaluar ngrohje qendrore me efikasitet energjetik në ndërtesat publike në komuna. Ministri njoftoi edhe për një projekt të ri brenda Ministrisë së Ekonomisë.
“Ka filluar përgatitja e dokumentacionit të tenderit për zbatimin e një procedure partneriteti publiko-privat për rinovimin energjetik të ndërtesës së Ministrisë së Ekonomisë. Ka shumë institucione që punojnë në ndërtesë dhe unë do të doja të informoja publikun se është dhënë pëlqimi nga të gjitha institucionet për të filluar një procedurë për rinovimin energjetik të ndërtesës duke zbatuar modelin ESCO. Presim që fillimi i procedurës të jetë në fund të prillit. Ky do të jetë shembulli i parë i procedurës së tenderit pas modelit të ri ESCO dhe do të jetë modeli me të cilin institucionet publike do të duhet të rinovojnë ndërtesat në të ardhmen duke përdorur masa të efikasitetit energjetik. Ne jemi një vend i varur nga importi dhe çdo denar në efikasitetin energjetik sjell më shumë përfitime afatshkurtra. Prandaj, përdorimi racional i energjisë duhet të jetë një domosdoshmëri për të gjitha institucionet publike, pasi në këtë mënyrë do të kursejë fondet e buxhetit dhe njëkohësisht do të përmirësojë kushtet e punës, duke ulur barrën për shpenzimet publike dhe sigurisht duke zvogëluar emetimet e CO2, nënvizoi Bekteshi.
Koordinatori i projektit Zdravko Stefkovski theksoi se kompanitë ESKO definohen me Ligjin e ri për efikasitet energjetik i cili tashmë është miratuar dhe dje ka hyrë në fuqi.
“Kompanitë ESKO realizojnë të gjithë investimin e teknologjisë së ndriçimit rrugor me cilësi të lartë, ndërsa shfrytëzuesi, në këtë rast Komunat, nuk marrin pjesë financiarisht. Komunat kthejnë investimin e kompanisë ESKO ekskluzivisht vetëm përmes kursimit të energjisë. Në procedurën e tenderimit, komuna zgjodhi ESKO kompaninë e cila ka dokumentacionin e duhur sipas dokumentacionit të tenderit dhe që do t’i ofrojë Komunës fitimin më të madh financiar. Afati i kthimit të investimit është mesatarisht gjashtë vjet, dhe jetëgjatësia e llambave është 100,000 orë pune. Gjatë kohëzgjatjes së marrëveshjes, e gjithë mirëmbajtja e pajisjeve që i përket ESKO kompanisë. Pas përfundimit të kontratës, të gjitha kursimet e energjisë dhe pajisjet mbeten tek përdoruesit e fundit do të thotë tek komunat. Nëse marrim parasysh se sistemi i ndriçimit në rrugë funksionon mesatarisht 4,200 orë pune në vit, atëherë llambat duhet të funksionojnë për rreth 23 vjet”, deklaroi Stefanovski.
Kryetarët e komunave të Makedonska Kamenica dhe Çeshinovo-Obleshevë Sonja Stamenkovska dhe Goranço Krstev falënderuan Ministrinë e Ekonomisë dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për mundësinë për të marrë pjesë në një projekt të tillë dhe mundësinë për investim në infrastrukturë të energjisë me efikasitet në komunat e tyre.
Përfaqësuesi i ESKO kompanisë Telekomi i Maqedonisë, Goce Mitevski deklaroi se si kompani do të vazhdojnë të punojnë në ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët përmes teknologjive moderne. (koha.mk)