Shkup, 24 qershor – Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot dhe nesër po qëndron për vizitë pune në Mbretërinë e Suedisë ku po merr pjesë në Konferencën ministrore në organizim të Ministrisë për punë të jashtme të Suedisë dhe Komisionit Evropian. Ministri Bekteshi para biznesmenëve suedez prezantoi projektet strategjike dhe mundësitë për investim në Republikën e Maqedonisë së Veriut me fokus të veçantë në integrimet euroatlantike, njofton Koha.mk
“Pas tejkalimit të kontesteve dypalëshe dhe arritjes së marrëveshjes me vendet fqinje Greqinë dhe Bullgarinë, ne si shtet kemi hapur proceset tona eurointegruese dhe perspektivat për zhvillim ekonomik. Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut është e përcaktuar drejt avancimit të kushteve për biznes, që është bazë për krijimin e një klime të favorshme investuese “, u shpreh Bekteshi, duke shtuar se në mënyrë aktive po punohet për të tërhequr sa më shumë investime të huaja, ndërsa masat qeveritare nga Plani për rritje ekonomikë kanë dhënë rezultate pozitive me një nivel rekord investimesh të huaja direkte prej 624 milionë euro dhe rreth 20 kompani të huaja të reja që realizojnë projekte investimi në vend.
Bekteshi duke u mbështetur në raportet ranguese ndërkombëtare si konfirmimi i politikave cilësore ekonomike dhe efektet e shkëlqyera që ata japin tha se: “Sipas raportit të fundit që u publikua nga Konferenca e OKB-së për tregtinë dhe zhvillimin e Investimeve në botë, për Republikën e Maqedonisë së Veriut thuhet se investimet e huaja direkte janë rritur për 260% nga mesatarja e viteve të fundit, dukshëm janë përmirësuar edhe indikatorët ekonomik ndërsa rritja ekonomike në tremujorin e parë ishte 4.1%. Do të punojmë intensivisht për të arritur normat prej 6 ose 7% për të arritur standardet evropiane”.
Sipas Bekteshit edhe në raportin më të fundit të Bankës Botërore, “Duing Biznis 2019”, Republika e Maqedonisë së Veriut renditet në vendin e dhjetë për të udhëhequr biznes, nga gjithsej 190 vende të botës, ndërsa Agjencia Fiç ka përmirësuar vlerësimin e vendit tonë nga BB e BB + dhe ky është përmirësimi i parë në vlerësimin e kredive të vendit pas 13 vjetësh.
“Sa i përket lidhshmërisë si kusht për bashkëpunim më të mirë ekonomik, ne po punojmë në ndërtimin e infrastrukturës cilësore rrugore, hekurudhore dhe energjetike, kemi projekte për rrugë me vlerë mbi 1 miliardë euro. Korridori 10 ka përfunduar tashmë ndërsa po punohet në finalizimin e Korridorit 8 që ndërlidh Bullgarinë dhe Shqipërinë. Në fazën e ndërtimit është hekurudha deri ne Bullgari, si dhe disa rrugë te shpejta” njoftoi Bekteshi.
Ministri Kreshnik Bekteshi, komunitetin suedez të biznesit e njohu edhe me reformat e bëra gjatë dy viteve të fundit edhe në sektorin energjetik duke sqaruar se me ligjin e ri për energjetikë i cili është i harmonizuar me rregulloret dhe direktivat e BE-së janë hapur ë shumë mundësi për investime në këtë sektor.
“Në mënyrë aktive po punojmë në shfrytëzimin sa më të madh të burimeve ripërtëritëse të energjisë ndërsa kemi hapur mundësi investuese edhe për fotovoltaikë prej 300 MË, për centrale të erës, elektrana me bio-gaz dhe bio-masë, që është edhe një fushë më tepër për të gjithë investitorët e interesuar që të vijnë tek ne dhe të njihen me potencialet tona”, tha Bekteshi.
Ministrja e punëve të jashtme e Suedisë Margot Valstrom, në fjalimin e saj kushtuar vendeve të Ballkanit Perëndimorë ka theksuar rëndësinë e marrëdhënieve midis shteteve, sigurinë e përbashkët dhe demokracinë.
“Marrëdhëniet miqësore janë element shumë më i rëndësishëm se cili do relacion tjetër qoftë diplomatik apo politik. Infrastruktura, turizmi, energjetika dhe kultura janë platformë e shkëlqyer për bashkëpunim midis vendeve të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Lufta kundër korrupsionit dhe ndryshimet klimatike janë edhe një sfidë e të sotmes për të cilat të gjitha vendet njësoj janë angazhuar për të siguruar një të ardhme më të mirë. Demokracia dhe paqja duhet të ndërtohen çdo ditë në vetëdijen e popullit, sepse kjo është mënyra e vetme për funksionimin më të mirë mes shteteve “, theksoi Valstrom.
Drejtoresha e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Genoveva Ruiz Kalavera foli për politikat e Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor: “Unë mund të theksoj se fati i këtyre vendeve është shumë i rëndësishëm dhe se BE-ja është mbështetëse e integrimit të tyre. Në pakon e fundit të zgjerimit të BE-së, në analizën gjithëpërfshirëse për secilin vend, bëri një lavdërim të veçantë për Republikën e Maqedonisë së Veriut , lidhur me përparimin e jashtëzakonshëm që është bërë dhe kjo flet se vendi me hapa të sigurt po ec drejt integrimit në BE “, tha Kalavera.
Pas përfundimit të pjesës formale të konferencës, në emër të organizatorit, ministrja Valstrom organizoi gjithashtu një drekë pune ku u diskutua për promovimin e bashkëpunimit rajonal midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit me vendet e BE-së. (koha.mk)