Sofje, 16 maj- Nën përkujdesjen e presidencës bullgare me Këshillin e Bashkimit Evropian në vitin 2018 dhe nën organizim të Forumit Bullgar për Liderë Biznesi (FBLB) sot në Sofje, vetëm një ditë para Samitit BE-Ballkani Perëndimorë, u mbajt konferenca me temë ” Perspektiva e Investimeve: Ballkani Perëndimorë”. Fokusi i konferencës ishte fuqia ekonomike e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivat e investimeve për zhvillimin e biznesit në rajon, ndërsa qëllimi është që diskutimet e liderëve të biznesit të nxisin më shumë bashkëpunimin ekonomik rajonal si pjesë e domodoshme për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor dhe si çelës për zhvillimin dhe mirëqenien e tyre.
Nikoqirë të konferences ishin presidenti i FBLB, Iravan Hira dhe ministrja e Presidencës bullgare me BE-në për vitin 2018, Lilijana Pavlova, ndërsa në mesin e folësve ishin edhe kryeministri bullgar Bojko Borisov dhe presidenti i Këshillit evropian Donald Tusk.
Republika e Maqedonisë u prezantua nga Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i cili në tryezën e rrumbullakët foli në temën “Potenciali Ekonomik i Ballkanit Perëndimor”, ku në mesin e folësve u përfshinë edhe Zv.kryeministri i Bullgarisë dhe ministrat e ekonomisë nga Bullgaria, Serbia, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Mali i Zi.
“Prosperiteti ekonomik është bazë për të siguruar stabilitet afatgjatë dhe zhvillim të rajonit të EJL, por gjithashtu edhe parakusht për një proces më efikas të integrimit evropian. Miratimi i Strategjisë për EJL 2020 nga qeveritë në rajon konfirmon angazhimin për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe lidhjeve ekonomike, duke theksuar idenë e zhvillimit të qëndrueshëm përmes koordinimit më të madh të politikave nacionale,”tha Bekteshi në diskutimin e tij, duke rikujtuar se procesi i Berlinit dhe Samiti i Parisit mbajnë fokusin e lidhjes rajonale ku u premtua se do sigurohen fonde shtesë për të përmirësuar infrastrukturën në rajon.
Bekteshi përmendi edhe Planin aksional shumëvjeçar për krijimin e një zone ekonomike rajonale në Ballkanin Perëndimor, me kërkesë të vendeve të rajonit, si rezultat i Samitit të Triestes, synimi i së cilës është qasje e përbashkët në promovimin e bashkëpunimit ekonomik duke nxitur integrimin e mëtejshëm të tregtisë, gjetjen e hapësirësrajonale dinamike për investime, lehtësimin e qarkullimit në rajon dhe krijimin e një axhende për integrimin digjital.
“Zbatimi i këtyre aktiviteteve synon të sigurojë qarkullimin pa pengesë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe fuqisë punëtore të kualifikuar,aktivitete këto që do ta bënin rajonin më tërheqës për investime dhe tregti, do përshpejtonin konvergjencës me BE dhe do sjellnin prosperitet për të gjithë qytetarët e saj. Zona ekonomike rajonale bazohet në parimet e mosdiskriminimit, duke krijuar kushte të barabarta për të gjithë në rajon”, tha Bekteshi.
Ai theksoi angazhimin e Qeverisë së Maqedonisë për zbatimin e vazhdueshëm të axhendës për reforma në nivel ekonomik, i cili pasqyrohet në prioritetet e përzgjedhura të Programit të ri për Reforma Ekonomike, i cili mundëson ambient më të mirë afarist dhe përmirësim të konkurrencës, duke vënë theksin në Planin e qeverisë për rritje Ekonomike , në veçanti masat e shtyllës së tretë për mbështetje financiare të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, duke qenë se mu këto ndërmarrje janë bartëse të ekonomisë së përgjithshme.
“E ardhmja jonë varet nga angazhimi ynë për të nxitur rritjen ekonomike, mbështetjen për bizneset e suksesshme dhe bashkëpunimin rajonal dhe respektin e ndërsjellë”, tha Bekteshi në konferencën në Sofje.