BEKIM FEHMIU, një Marlon Brando shqiptar

Në qershor të vitit 1936 lindi në Sarajevë artisti i madh shqiptar Bekim Fehmiu. Ai u bë një ndër aktorët më të shquar jo vetëm të kinemasë jugosllave, por edhe asaj italiane e amerikane. Ne këtë jubile po botojmë një kapitull nga libri me kujtime, që po përgatit regjisori Piro Milkani, Artist i Popullit. Dalja e librit me titull “E pabesueshme, por e vërtetë” do të jetë në qarkullim vitin që vjen

 

Nga Piro MILKANI

Një ditë maji të vitit 1989, së bashku me Kristaq Dhamon, i hipëm avionit të linjës ajrore Tiranë-Budapest-Paris për të vazhduar më pas me TGV drejt Kanës. Do shkonim në Mekën e festivaleve të filmit. Po si ndodhi kjo çudi që propozimin e Viktorit, si drejtor i Kinostudios, e miratoi ministri i Kulturës Alfred Uçi pa një pa dy? Për Kristaqin e kuptoja. Ishte regjisori i filmit të parë artistik “Tana” dhe vitet e fundit, si udhëheqës artistik, i ishte kushtuar tërësisht ndihmës për përgatitjen më të mirë të regjisorëve të rinj. Po unë çne? Se kisha realizuar vit për vit filma të rinj? Se mora Kupën e Festivalit të nëntë të filmit shqiptar me filmin “Pranvera s’erdhi vetëm”? Apo ishte kjo një “ mea culpa” e madhe për ato që më ngjarë në vitin 1973 kur u akuzova, kot fare, për shfaqje të huaja në filmin “Festa e madhe”, për sjellje borgjeze në raport me jetën socialiste gjë që solli vendimin për të shkuar për riedukim pa afat, në ndërtimin e një vepre të madhe industriale, kupto në hidrocentralin e Fierzës, vendim që u anulua në minutën e fundit nga lart, shumë lart… Më shumë se kurrë sot besoj se udhëtimi im në Kanë ishte një “mea culpa”. Ndodhi si ndodhi, ne ishim në Kanë me një bllok biletash për të parë nga lozha e personaliteteve të huaja, në Kinemanë e festivalit, prodhimet e fundit kinematografike. Ishin ditë të magjishme. Ishte një festival ku konkurronin filmat më të mirë të vitit të fundit si “Kinemaja e re Parajsa” e Xhuzepe Tornatores, “Shtëpia për varje” e Emir Kusturicës, “Splendor” i Etore Skoles etj. Rrugët dhe sheshet e mbushura me pllakate gjigante të filmave, jahte luksoze ku bëheshin kokteje pas shfaqjes së filmave, i jepnin qytetit të filmit një sharm të veçantë. Fotografët e gazetarët nuk u ndaheshin yjeve të kinemasë si Meril Strip që shëtiste buzagas rrugëve të Kanës pa e prishur fare terezinë nga ndjekja hap pas hapi e fotografëve, me shpresë se mos era e detit ja ngrinte pak me lart seç duhej fustanin për ta fiksuar në celuloid ngjyrën e brekëve, ashtu si ndodhi vite me vonë, me Arta Dobroshin tonë, po në Kanë, kur ishte nominuar për aktoren më të mirë në filmin “Heshtja e Lornës” të vëllezërve Dardene.

Paraditja e ditës së pestë paralajmëronte shfaqjen e filmit “Shtëpia për varje” të Emir Kusturicës. Turmat e mëdha të kureshtarëve ndiqnin pas Bandën frymore të ciganëve të ardhur nga Beogradi. Ishte Banda e të famshmit Goran Bregoviç, që i kishte bërë muzikën e filmit Kusturicës me këtë formacion muzikor. Jugosllavia e Miloshevicit nuk kursente asgjë për t’i treguar botës se punët atje po shkonin më së miri dhe se vetëm disa “irredentistë” kosovarë kërkonin të shkatërronin Jugosllavinë e bukur të tij. Dhe në ato momente më shkoi mendja te një film tjetër i madh me ciganë, te filmi “Mbledhësit e puplave” ose “Kam njohur dhe ciganë të lumtur” të Aleksandër Petroviçit.

Aleksandër Petroviçi kishte bërë vetëm dy vite mësim në fakultetin e filmit në Pragë (1946-1948) me regjisorin Otakar Varvra, por nuk e mbaroi shkollën se atë vit Jugosllavia e Titos u shpall vend revizionist dhe të gjithë studentët jugosllavë u dëbuan nga të gjitha shkollat e Europës Lindore. Ashtu si ndodhi me ne shqiptarët në vitin 1961, që u kthyem se “u prishëm” me vendet e Kampit socialist për arsye të kundërta me akuzat kundër Titos. Ata u dëbuan si “revizionistë” të marksizmit, ndërsa ne si “dogmatikë” të marksizmit. Sikur ta dinte Marksi se si luheshin fatet e popujve “në emër të teorisë së tij” do lëvizte në varr.

Po Petroviçit i mjaftuan ato pak vite shkollë për t’u bërë një regjisor i madh. Talentin nuk ia dha shkolla, e kishte në gjak. Njëlloj si Kusturica, ai erdhi në Kanë në vitin 1966 me filmin e tij më të mirë “Mbledhësit e puplave”. Kishte zgjedhur për këtë film ajkën e aktorëve : Bekim Fehmiun, Bata Zhivojnoviçin dhe Olivera Katarina. Sukses i paparë. Bekimi 30 vjeçar, kishte qepur një kostum me motive shqiptare posaçërisht për ditën e prezantimit të filmit. I nominuar për Palmën e Artë u mjaftua vetëm me çmimin për regjinë më të mirë, pasi kishte rrëmbyer dy trofe në Festivalin e Pulias. Po nami shkoi më tej dhe “Mbledhësit e puplave” në vitin 1967 ishte nominuar për çmimin Oskar, për filmin më të mirë të huaj. Jirzhi Menzel në librin autobiografik “Vitet lozonjare” e tregon kështu momentin e shpalljes së fituesit për çmimin Oskar:

– Kur moderatori doli në skenë për të shpallur fituesin, unë isha ulur pranë Petroviçit. Dritat e prozhektorëve u kthyen drejt pesë pretendentëve. Zarfi u hap. Filloi të lexoje: Dhe filmi më i mirë i huaj për vitin 1967 është… pauzë e gjatë… filmi jugosllav… Petroviçi filloi të ngrihej për të shkuar në podium kur moderatori shtoi “Trenat e survejuar rreptësisht” të Jirzhi Menzelit. Moderatori ngatërroi Jugosllavinë me Çekosllovakinë. Petroviçi pësoi gati një parainfarkt. E zakonshme për amerikanët. A nuk e ngatërronte vite më vonë presidenti Xhorxh W. Bush Slloveninë me Sllovakinë?

Sidoqoftë “Mbledhësit e puplave” kishte hyrë në histori. Në mos Oskar, një Glob të Artë në Amerikë e mori. Në vitin 1966 dukej se në Jugosllavi punët po shkonin disi më mirë në raport me shqiptarët e Kosovës. Në një Plenum të rëndësishëm Tito eliminoi nga skena politike ministrin gjakatar të punëve të brendshme Aleksandër Rankoviç, duke ia ngarkuar atij të gjitha të zezat që u ishin bërë shqiptarëve të Kosovës deri në ato kohë. Njëlloj si Enver Hoxha me Koçi Xoxen vite me parë. Kushtetuta e re i jepte më shumë të drejta Krahinës Autonome të Kosovës dhe pritej hapja e Universitetit të Prishtinës. Pedagogët e Universitetit të Tiranës filluan të shkojnë rregullisht në Prishtinë për të dhënë mësim. Por, në vitin 1968, në emër “të mbrojtjes së fitoreve të socializmit”, vendet e Traktatit të Varshavës sulmuan Çekosllovakinë. Vetëm Shqipëria, Jugosllavia dhe Rumania nuk dërguan atje trupa pushtuese. Në shenje proteste çekët e trishtuar shkruanin në muret e muzeut Historik të Pragës:

– Lenin zgjohu! Brezhnjevi është çmendur!

Shqipëria e denoncoi këtë agresion dhe u largua edhe de jure nga ky Traktat. Për çudi, ato kohë, nga faqet e mureve, në qytete të ndryshme të Shqipërisë, u zhdukën dhe pllakatet me Titon karikaturë me duart që i kullonin gjak. Kishte nisur një “pranverë e vogël” në marëdhëniet shqiptaro – jugosllave. Vetëm sot, pas pesëdhjetë vjetësh, mësojmë pse ndodhi ky ndryshim. Brezhnjevi i pat kërkuar Titos ta lejonte që ushtritë ruse të kalonin përmes Jugosllavisë për të pushtuar Shqipërinë. Tito, jo vetëm që nuk pranoi, por përmes kanaleve diplomatike e siguroi Enver Hoxhën se kjo nuk kishte për të ndodhur kurrë. Ja pra shkaku, që fillimisht në Prishtinë e me pas në Beograd u organizua “Java e Filmit Shqiptar” shoqëruar me fjalime miqësore e me flamujt e të dy vendeve në skenat e kinemave.

– Jeni i pari delegacion zyrtar që shkoni në Jugosllavi pas vitit 1948. Ndaj kujdes!

Kështu na thanë në Ministrinë e Kulturës Dhimitër Anagnostit dhe mua, dy ditë para nisjes për në Beograd. Natën e dytë, para fillimit të shfaqjes në kinemanë Omladina, ia behu Bekim Fehmiu. Ai, që pasi e kishim admiruar te filmi “Mbledhësit e puplave”, ishte bërë akoma më i njohur në gjithë Europën me “Aventurat e Uliksit” të Françesko Rosit. Edhe në kinematë e Shqipërisë e në RTSH ishte shfaqur Uliksi. Në sallë levizje, Bekimi!, Bekimi -pëshpërisnin spektatorët. I qeshur, elegant, veshur me një xhup lëkure të zi e pantallona të zeza më shumë se sa aktor dukej si pilot garash automobilistike.

– Sot e mora vesh që keni ardhur – na tha duke zgjatur dorën drejt nesh. Nga ai moment e deri në fund nuk u nda nga ne. Na shëtiti nëpër Beograd, na ftoi për drekë në shtëpi dhe kur e pyeta për Petroviçin nuk e zgjati po e ktheu makinën drejt kodrës së Kalimegdanit, tek interieret e kështjellës ku Petroviçi po xhironte filmin e tij të ri “Maestro dhe Margerita” sipas romanit të disidentit Bulgakov. Duke kaluar korridoreve të kështjellës te salla e xhirimit e pyeta Bekimin:

– Çfarë regjisori është Petroviçi?

– Sasha?… Sasha është tepër i zgjuar dhe shpesh njeri ironik. (Kishte humor dhe admirim brenda kësaj fraze).

Sa e pa Bekimin, ndërpreu xhirimin dhe na takoi. Bekimi ishte i lumtur, po i tregonte miqtë e porsa ardhur nga Shqipëria, bile njëri prej tyre kish mbaruar të njëjtën shkollë me të. Dhe folëm çekisht. Pas pak afrohet te ne Ugo Tonjaci, që luante një rol kryesor në film e biseda vazhdoi në italisht.

Gjatë kthimit me veturë drejt Prishtinës për në Tiranë, Petrit Dusha, përfaqësuesi i Kosova Film, që ishte ngarkuar të kujdesej për ne, e devijoi rrugën kryesore për të shkuar në Çaçak. Na kishte përgatitur surprizën e fundit. Do takonim yllin e dytë të filmit Faruk Begollin.

Faruku, ishte aktori më i pashëm ndër gjithë aktorët e filmit jugosllav, një Alen Delon i Ballkanit. Edhe pse i ri, i kishte pas nja shtatë a tetë role kryesore. Jugosllavia në ato vite kishte marrë epitetin Hollivudi i Europës, për numrin e madh të prodhimit të filmave e veçanërisht për filma me buxhet të madh. “Beteja e Neretvës” apo “Sutjeska”, nuk u linin gjë mangut megaproduksioneve hollivudiane (Dokumentari Cinema Komunisto i 2010-s i regjisores Mira Turajliç është dëshmia më e mirë).

Rregullat duhet t’i zbatonte kushdo, qoftë aktor me famë. Faruku duhej të kryente shërbimin ushtarak. Oficeri i rojës na tha se Faruku nuk ndodhej në gazermë. I kishin dhënë leje që të shkonte të banonte në hotelin më të mirë të Çaçakut. Sportelisti e konfirmoi këtë dhe i telefonoi në dhomë duke i thënë se i kanë ardhur disa miq nga Shqipëria. Kishin kaluar më shumë se dhjetë minuta, duke pritur atë dhe po bëheshim gati të largoheshim kur doli nga ashensori, i shoqëruar nga një vajzë bjonde, e bukur si Rusalkë. Ishte balerinë në Operan e Beogradit, vajza e një ambasadori që po shërbente diku në Amerikën Latine. Botë tjetër. Ku ne, ku ata. Sapo na pa u skuq i tëri:

– Të më falni për vonesën. Po kujtova se ishte një shaka e radhës. Sa herë vjen prej Beogradi kjo shoqja ime, ata horrat e mi ushtarë, vijnë e më bezdisin me lloj-lloj gënjeshtrash e kur zbres në holl qeshin si budallenj. Më falni, njëqind herë, më falni!

Sipas rregullit, sapo u u kthyem në Tiranë, e shkruam një raport të gjatë për qëndrimin tonë në Beograd. Anagnosti botoi në “Drita” shkrimin me titull: “Do të isha i lumtur”. Ishte një intervistë me Bekimin ku ai shprehej se do të ishte i lumtur po të vizitonte Shqipërinë.

– Ftojeni në Shqipëri. Bile ftojeni bashke me gruan e tij serbe. Po ftesa le të jetë, ta themi hapur, private, nga ju, jo zyrtare – na udhëzoi në zyrat e Komitetit Qendror Behar Shtylla, një ndër diplomatët më të shquar të Shqipërisë. Dhe kështu u bë.

Disa dite para 1 majit të vitit 1973 erdhi në Tiranë Bekimi. Pa gruan e tij Branka Petriç Fehmiu. I kishim përgatitur një program të larmishëm, takim në Kinostudio me kineastët, në Lidhjen e Shkrimtarëve, në Teatrin Kombëtar, vizitë nga Durrësi në Sarandë, shfaqje të filmave tonë të fundit, një vend në Tribunën qendrore në ditën e parakalimeve fesive të 1 majit. Po kishim harruar Shkodrën. E ai e kërkoi vetë këtë. Pse? Pas Sarajevës, familja Fehmiu ishte transferuar në Shkodër e Bekimi kishte lënë aty kujtimet e fëmijërisë. Mbante mend se në moshën katër vjeçare kishte “rënë në dashuri” me një shkodrane të bukur. E kërkoi po nuk e gjeti. Fatmirësisht e gjithë vizita e tij u fiksua në një film kronikal kushtuar atij, të madhit Bekim Fehmiu.

Një pjesë të atyre kujtimeve që i shkroi në librin e tij autobiografik i mësuam ato ditë prej tij. Na tregoi se si vendosi të bëhej aktor dhe vullnetin e paparë për të qenë më i miri. I kushtoi shumë vëmendje të folurit skenik. Stërvitej në dhomën e konviktit deri natën vonë, stërvitej në gjuhëen serbe. E kur dikush dëgjonte zëra dhe shikonte një dritë ndezur pas mesnate në katin e pestë dhe pyeste portierin se ç’ndodhte aty portieri e sqaronte:

– Është një shqiptar i çmendur që pothuajse nuk fle fare.

Me një portret fotogjenik, me një zë prej baritoni, me përkushtimin maksimal dhe talentin e tij, shpejt ai u bë një figurë po aq e madhërishme në kinema sa Aleksandër Moisiu dikur në teatër.

Po të mos ishte shqiptari Gjon Mili, fotografi i famshëm i revistës “Life”, që u ftua në Hollivud në vitin 1944 për të realizuar filmin eksperimental 10 minutësh “Jammin’s the Blues”, Bekim Fehmiu do të ishte absolutisht i pari shqiptar që realizoi dy role kryesore në Hollivud. Vite më vonë shkuan atje Xhim e Xhon Belushi, si dhe Eliza Dushku dhe Timo Flloko.

Jeta e tij ishte e mbushur plot gëzime e suksese artistike, por shpesh nuk u mirëkuptua nga bashkatdhetarët e tij. Dhe kjo e trishtonte pamasë. Do të mjaftonte gjesti publik i tërheqjes së tij përfundimtare në vitin 1987 nga jeta artistike, për tragjedinë e paralajmëruar të Kosovës që të zinte vendin e merituar në Panteonin e kulturës shqiptare. Do të mjaftonte zgjedhja e duhur që bëri me Petroviçin e jo me Kusturicën që përsëri të kujtohet nga ne pafundësisht.

Petroviçi, u bë jo vetëm regjisor i shquar por dhe qytetar i nderuar serb, kur në vitin 1977 u detyrua të mërgojë , për arsye politike, nga Jugosllavia. Kishte shpirt demokrati. Nga shkolla e famshme e filmit në Pragë dolën edhe regjisorë të tjerë të talentuar që krijuan filma me vlera të larta si Goran Markoviçi apo Goran Paskaljeviçi, të cilëve iu ngulit në mendje morali i vërtetë qytetar kur panë filmin çek “Principi i Lartë” të regjisorit Jirzhi Krejcik. Në atë film profesori i ndershëm u thotë nxënësve: Në emër të principeve të larta morale, unë e aprovoj vrasjen që iu bë mëkëmbësit të Hitlerit në Çeki Rajnhard Hajdrihut.

Bazuar në këtë princip krijuan vepra me vlerë Petroviçi, Paskaljeviçi dhe Markoviçi. Sasha Petroviçi në shenjë proteste emigroi nga Jugosllavia në Francë për t’u rikthyer pas vitit 1991, Bekim Fehmiu, në shenjë proteste, ndaj padrejtësive që po u bëheshin shqiptarëve të Kosovës, në vitin 1987 ndërpreu në Beograd interpretimin e tij për të mos u kthyer më në teatër.

***

Në vitin 2004 shkova në Prishtinë për të bërë një marrëveshje bashkëpunimi me Kosova Film për filmin “Trishtimi i zonjës Shnajder”. Sapo mora vesh që Bekimi ndodhej aty, shpreha dëshirën ta takoj. Milazimi, përgjegjës i kinemasë ABC, miku më i afërt i Bekimit, ma tregoi sekretin.

– Në ora 11 Bekimi vjen këtu për të pirë kafe. Eja nesër.

U takuam me mall pas 33 vitesh (sa vitet e Krishtit). Kujtuam vitet që kishin rrjedhur kaq shpejt me plot ngjarje të rëndësishme. Më në fund i tregova se po përgatitesha për një film të ri autobiografik dhe do të isha i lumtur që edhe ai të ishte pjesë e këtij projekti. I propozova rolin e kontit të Shternbergut.

– Për ty vij deri në fund të Botës- mu përgjigj pa as më të voglin hezitim.

Pas gjysmë ore u ndamë plot mall. Nuk e dija se ky do të ishte takimi ynë i fundit. Kur Bekimi u largua, Milazimi m’u afrua dhe me tha plot trishtim:

– Piro, mos u mërzit, por Bekimi nuk të vjen. Ai e ka vendosur përfundimisht. Nuk ka për të bërë më asgjë në film e teatër. Nuk e ka me ty.

E kuptova dhe në vend të tij kërkova Mikele Placidon.

Edhe Kusturica e kishte parë atë film të Krejcikut, kishte marrë mësime nga i njëjti profesor aty në Pragë, nga Otakar Vavra, por nuk e kuptoi, apo nuk deshi ta kuptojë, thelbin filozofik të Principit të Lartë. E vuri talentin e tij në shërbim të pushtetit.

Publiku i gjerë do të përkulet gjithmonë me respekt përballë mjeshtërve të mëdhenj të kinemasë si Petroviçi, Paskaljeviçi, Markoviçi dhe do t’i ruajë në kujtesën e tij.

Edhe Kusturica do të kujtohet, veçse do të renditet në një listë tjetër bashkë me Kuislingun, kryeministrin që ia shiti Norvegjinë Hitlerit.