Mes të gjitha projekteve me të cilat po merret Dejvid Bekam është njëri që ka më shumë rëndësi se të tjerët. Pasi i ka thënë lamtumirë futbollit të luajtur, ish-ylli i Mançester Junajtedit dhe LA Galaksi, ka ndier domosdoshmërinë të bënte diçka që ta mbajë akoma të lidhur me botën e futbollit. Dejvid kërkon të krijojë një skuadër të re në Majami. Një ëndërr që do t’i kushtojë rreth 31 milionë euro (20 vetëm për stadiumin). Sipas “The Sun”, stadiumi do të presë 25.000 tifozë dhe vendi ku do të ndërtohet është gjetur (ish-parking kamionësh).
Bekam po punon prej tre vitesh për këtë projekt. Pjesë e investitorëve do të jetë edhe bashkëshortja e tij Viktoria, ashtu si edhe menaxheri që ajo ka pasur kur ishte pjesë e grupit “Spice Grils”. Për sa i takon skuadrës që do të luajë në stadiumin e Dejvid, kanë dalë disa emra: Majami Junajted (por ka një ekip tjetër profesionist me të njëjtin emër) ose Majami Vice (në nder të serialit të famshëm televiziv). Në një sondazh të bërë disa kohë më parë, 26 për qind të votuesve kanë zgjedhur International Majami (ose Inter Majami).