Shkup, 11 qershor – Reprezentacionit i Maqedonisë së Veriut është gati për ndeshjen e parë hitsorike në kampionatin Evropian. Përfaqësuesja e vendit tonë të dielën me fillim prej ora 18:00 do të përballet me Austrinë në “Arena Bukuresht” të Rumanisë.
Mbrojtësi, Egzon Bejtullai është i lumtur që është pjesë e ekipit që do të përfaqësojë Maqedoninë në Euro 2020. Bejtullai nuk e fsheh që ndjen presion, sidomos që do të ketë detyrë të ndalojë sulmues shumë të fortë të ekipeve kundërshtare. Ai po ashtu kërkoi mbështetjen e tifozëve.
“Kemi arritur atë që e kemi dëshiruar, kualifikimin në kampionatin Evropian. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e kësaj përfaqësuese, shpresoj që do të jap maksimumin nga vetja për të arritur rezultate pozitive. Çdo lojtar ndjen presion, por neve dimë të përballojmë atë. Ekipet kundërshtare kanë sulmues shumë të mirë, gjithashtu edhe ne kemi futbollistë të mirë që janë pjesë e ekipeve të mira. Do të japim më të mirën për Maqedoninë. Po ashtu tifozët duhet që të kenë besim te ne, loja jonë e mirë ka bërë që sot të jemi këtu. Duhet të na besojnë pasi mund të bëjmë surpriza. Atmosfera në mesin e lojtarëve të përfaqësueses është shumë e mirë.
Neve jemi duke luajtur një futboll shumë të mirë, nuk duhet që të ndryshojmë rrjedhjen e lojës. Nëse marrim rezultat atëherë pse të mos mbrohemi, por nëse ndodh e kundërta ne do të luajmë lojë më sulmuese”, theksoi Egzon Bejtullai. (F.N)