Shkup, 17 shtator – Skuadra e Shkëndijës do të provojë kalimin e një tjetër turi eliminator, nën drejtimin e trajnerit Ernest Gjoka. Kuqezinjtë do të përballen në transfertë me rumunët e Botosanit, me misionin për t’u kualifikuar në turin e tretë eliminator dhe nëse ia dalin, do të kenë mundësinë të përballen me gjigantët anglezë të Tottenham.
Mbrojtësi i kuqezinjve Egzon Bejtullai shpreson se së bashku do të arrijnë që në Rumani të marrin një rezultat pozitiv, që do ti mundësonte ekipit të Shkëndijës kualifikim në fazën tjetër.
“Ndeshjet evropiane nuk kanë nevojë për motiv shtesë sepse fakti që gjithë sezonin në kampionat kërkon që të kapësh pozitat që të dërgojnë në kupat e Evropës, sigurisht që është motiv në vetë që ti luan me më të mirët në kampionatet e tyre respektive. E dimë që Botashani ka skuadër shumë të mirë dhe që nuk do të jetë aspak e lehtë për ne, por kemi punuar dhe jemi në një atmosferë shumë pozitive, dhe të bindur që të dalim në terren për të dhënë më të mirë për të marr rezultatin e dëshiruar. Luhet vetëm një ndeshje përshkak të kushteve të pandemisë dhe duhet të jemi maksimalisht të koncentruar të marrim më të mirën, sepse nuk do të kemi një rast të dytë për të përmirësuar rezultatin siç ishte në të kaluarën kur luanim nga dy ndeshje”, pohon Bejtullai, përcjellë gazeta Koha.mk.
“Është fakt që luajmë sërish si mysafir dhe ndoshta terreni vendas është përparësi për kundërshtarin, por Shkëndija ndër vite ka dëshmuar që din të luaj në transfertë, ndeshjet luhen pa praninë e publikut dhe besoj se pa presion por me përgjegjësi dhe përkushtim do të dalim në fushë të përformojmë në maksimumin e mundësive tona duke besuar se kjo qasje do të na jep rezultatin i cili do të na kualifikoj në raundin e tretë”, deklaroi për KOHA, Egzon Bejtullai.