Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta me rastin e Ditës së Mësuesit – 7 Marsit, i uron të gjithë mësimdhënësit shqiptarë. “Çdo ditë e vitit duhet të jetë ditë falënderimi për punën e tyre të palodhshme. Më 7 Mars të vitit 1887 në qytetin e Korçës u hap mësonjëtorja e parë në gjuhën shqipe. Sot pas 130 vitesh, me përkulje përkujtojmë Pandeli Sotirin, mësuesin dhe drejtuesin e tempullit të diturisë shqiptare.
Kjo ngjarje historike, vazhdon Bejta, ishte, është dhe do të jetë një fitore e madhe për popullin shqiptar brenda dhe jashtë kufijve administrativ të shtetit amë. “Misionin e Pandeli Sotirit me shumë dashuri dhe përkushtim e vazhduan pasardhësit e tij, mësimdhënësit gjithandej hapësirës shqiptare. Data 7 Mars është dita e veçantë e cila i kushtohet mësuesit shqiptar, edhe pse, çdo ditë e vitit duhet të jetë ditë falënderimi për punën e tyre të palodhshme. Mësuesi është prind i dytë për nxënësin, sepse, me përkushtimin më të madhe ia plason rrugën e dijes dhe perspektivës për një jetë më të ndritur.
Tani, Ju përsëri keni në dorë privilegjin dhe përgjegjësinë për të ndërtuar një gjeneratë të ditur, të përgjegjshme dhe profesionale e cila do t’ju paraprijë proceseve shoqërore, kombëtare dhe do të jetë e aftë për të ndërtuar të ardhmen për brezat që do të vijnë. Duke u përkulur para sakrificës dhe punës së palodhshme të të gjithë mësimdhënësve ndër breza, Ju uroj 7 Marsin, këtë ditë të shenjtë dhe madhështore për arsimin në gjuhën Shqipe”, thuhet në urimin e Bejtës.