Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, përmes një kumtese ua uron të gjithë grave festën e 8 Marsit. “Të gjitha festat festohen nga të gjithë pa dallim gjinie dhe moshe, e veçantë është shënimi i Festës së 8 Marsit sepse feston e gjithë gjinia femërore. Pa barazi gjinore dhe pa integrim real të grave në jetën shoqërore nuk mund të ketë një shoqëri të drejtë, solidare dhe me vlera evropiane”, thuhet në kumtesë.
Bejta shpreh besimin dhe bindjen që kontributi intelektual dhe jetësor i femrës, veçanërisht i gruas shqiptare, mbetet një përbërës i rëndësishëm për shoqërinë. “Shfrytëzoj rastin që të gjithë grave t’ua uroj 8 Marsin, me dëshirën për shëndet, suksese dhe mbarësi të gjithanshme në jetën e tyre”, thuhet në kumtesën dërguar nga kryetari i Komunës së Gostivarit.