Kryetari aktual i Komunës së Gostivarit dhe kandidat i sërishëm i BDI-së për këtë komunë, Nevzat Bejta, dje u takua me blegtorët e rajonit të Gostivarit.
Si prioritete në mandatin e tij të ri ai veçoi stimulimin e blegtorisë me fonde komunale në vendbanimet rurale, përmirësimin e infrastrukturës rurale, rikonstruimin e kanalit për ujitjen e fushës në fshatin Bajnicë – Banjeshnicë – Turçan i Vogël dhe Çajlë, ndërtimin e pendës për kanalin e ujitjes në Çegran, si dhe mbështetjen e bujqve dhe blegtorëve për shfrytëzimin e beneficioneve nga fondet qeveritare, fondeve IPARD dhe fondeve të tjera dhe hapjen e rrugëve për në stane.
“Sonte ishim në fshatin Çajlë dhe bashkëbiseduam me blegtorët e rajonit. Me ne ishte edhe drejtori i Ndërmarrjes Publike ‘Kullotat e Maqedonisë’, Lulzim Fejzullai. Biseduam hollë e gjatë për preokupimet që kanë bujqit dhe blegtorët në përditshmërinë e tyre. Në dy vitet e kaluara në rajonin e Gostivarit u hapën 22 kilometra rrugë malore me qëllim që të lehtësohet puna e tyre. Ramë dakord që si komunë të ndajmë një buxhet prej 1.5 milion denarë që do të shfrytëzohen për përmirësimin e kushteve për blegtorët. Punët do të zhvillohen në koordinim me Ndërmarrjen Publike ‘Kullotat e Maqedonisë’. Në bashkëpunim me Ministrinë e Buqësisë do të punojmë për thithjen e fondeve IPARD të BE-së dhe fondeve të tjera. Po ashtu, me institucionet e tjera të shtetit, do të vazhdon përkrahje administrative në drejtim të marrjes së subvencioneve nga ana e shtetit”, deklaroi Bejta.
Në vitet në vijim, shtoi ai, do të shqyrtohet mundësia e sigurimit të hapësirës adekuate brenda qytetit që do të shërbejë për shitjen e kafshëve. Po ashtu, Bejta paralajmëroi investime nga fusha e Industrisë së mishit me qëllim që të sigurohet plasman më i madh i prodhimeve vendore në tregun e jashtëm.
Gjatë takimit, drejtori i Ndërmarrjes Publike “Kullotat e Maqedonisë”, Lulzim Fejzullai prezantoi investimet e ndërmarrjes në rajonin e Gostivarit, si dhe paralajmëroi investime të tjera në vitet në vazhdim.