Gostivar, 8 prill – Karvani i degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Gostvar, për zgjedhjet presidenciale të 21 Prillit vijoi takimet me banorët e lagjeve të qytetit: Beg, Vardar, Tregu i madh dhe Beliçicë.
Nënkryetari i BDI-së njëherit edhe Kryetar dege,Nevzat Bejta, foli mbi rëndësinë e zgjedhjeve presidenciale të 21 Prillit për shoqërinë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Bejta, siç thuhet në kumtesën e degës së BDI-së Gostivar, që në fillim potencoi që kandidati shqiptar nuk mund t’i fitojë zgjedhjet për shkak të konfiguracionit të trupit votues në RMV, për këtë shkak, vota për kandidatin shqiptar nuk zë vend, dhe për pasojë mund të parandalon fitoren e kandidatit properëndimor që në rrethin e parë.
“Në rrethinë e dytë, kandidatja nga radhët e VMRO-DPMNE, mund të bojkotojë zgjedhjet dhe të vështirësojë zgjedhjen e presidentit të ri për shkak të konsensusit. Vendit nuk i duhet një lojë e tillë. Kemi një president në ikje që do të mbahet mend si presidenti më i dështuar jo vetëm në RMV por edhe në shtetet e Ballkanit. Tani na duhet një president i ri i cili do të punojë për integrimet euroatlantike. Stevo Pendarovski çdo kund flet për eurointegrimet dhe për barabarësi të qytetarëve të vendit pa dallime. Me presidentin e ri do të nënshrkuhen ligjet që i bllokoi presidenti aktual dhe në qershor besojmë në hapjen e bisedimeve për integrim të vendit në BE. Nuk duhet të lejojmë të na dalin pengesa”, tha Bejta, duke shtuar që ndryshimet e fundit në RMV sollën edhe filozofinë dhe qasjen e re politike për kandidat të përbashkët apo konsesual.
Shefi i Shtabit Komunal Zgjedhor, Bashkim Hasani, para të pranishmëve foli për zgjedhjet presidenciale si shumë të rëndësishme për vendin, duke ftuar të pranishmit që më 17 Prill me fillim prej orës 19:30 në Pallatin e Kulturës të dëgjojnë nga afër arsyet e mbështetjes së kandidatit të përbashkët nga vet lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Sezgin Veliu, në rolin e nikoqirit dhe kryetarit të Shtabit të lagjes Beg, deklaroi që patriotizmat deklarative në këtë fushatë nuk kanë vend, sepse, më UÇK se Ali Ahmeti nuk mund të ketë.
Fushata zgjedhore e BDI-së në Gostivar, thuhet më tej në kumtesë, vijon të martën pasdite në takimin me banorët e Çegranit dhe Forinës, ku i pranishëm do të jetë edhe lideri i partisë, Ali Ahmeti. (koha.mk)