Pas tragjedisë në Bejrut pati shumë lutje dhe ndjeshmëri, që sigurisht është njerëzore të shprehen, por ajo që duhet bërë është presioni për përgjegjshmëri. Njerëzit e gabuar, në vende të gabuara, njerëzit e pangopur dhe pa sens ndaj të mirës të përgjithshme, njerëzit e korruptuar dhe pa dashuri për ligjin, asnjëherë s’mund të sjellin rend dhe zhvillim. Ky është leksioni i hidhur që duhet të marrim, sidomos tani para ndërtimit të institucioneve pas zgjedhjeve parlamentare sepse Bejruti jonë i papërgjegjësisë është kudo!
Nga Nazim RASHIDI
“Bejruti qan, Bejruti ulëret, njerëzit janë histerik dhe të lodhur”, përcjellin mediat një reagim të një banori të qytetit që përjetoi një tragjedi, që asnjëherë nuk do duhej të ndodhte.
Zemërimi është edhe më i madh, sepse aksidentet e të tilla s’janë pasojë e situatave të vështira, as për shkak konfliktesh, as të paralajmëruara. Sipas asaj që dihet deri më tani, shpërthimi, që askush se ka pritur, as që i shkonte mendja se mund të ndodhte, në një nga qytetet më interesante dhe frymëzuese të botës, ndodhi për pakujdesi dhe neglizhencë.
Imagjinoni dhimbjen e njerëzve tani. Pakujdesia që shkakton tragjedi kaq të madhe. Humbje jetësh, të afërmish, që nuk do duhej të ndodhnin për shkak interesash dhe manipulimesh për përfitime.
Ndërkohë që njerëzit në Bejrut shprehin zemërim dhe kërkojnë përgjigje se çfarë ndodhi, ose më mirë thënë se kush është përgjegjës për aksidentin e tmerrshëm që deri më tani ka lënë 135 vetë të vdekur, paralelisht shoh dhe një sërë reagimesh për përgjegjësinë, mungesën e saj dhe çfarë katastrofe mund të sjellë ajo edhe tek ne. Reagohet pikërisht për pakujdesinë. Për lehtësinë me të cilën shpesh ata që janë përgjegjës, justifikojnë gabimet. Tragjedia e Bejrutit tregoi edhe një herë se e keqja mund të mos ketë fund, sidomos kur bota lufton kovidin, dhe se ajo shpesh vjen nga vetë njeriu. Por çfarë bëjmë ne? Sigurisht menjëherë shprehim keqardhje, lutemi… por a mësojmë nga rastet e tilla?
Vigan Halimi, siç njihet si Vig Shpuza, autor i emisioneve të filmit, kishte reaguar në rrjetet sociale:
“A u lutët për Bejrutin? Mirë. Tani lexoni për pasojat nga qeverisjet e papërgjegjshme, të cilat instalojnë njerëz edhe ma të papërgjegjshëm në vende ku duhen ekspertë dhe masa mbrojtëse, lexoni dhe ndoshta edhe mbusheni me mend që mos na vjen puna nesër të luten edhe të tjerët për ne.”
Bashkë me këtë postim, kishte dhe të tjera me një cisternë, në një nga fabrikat e Shkupit, që sugjerohej se ka kemikale që poashtu mund të shkaktojnë pasoja të mëdha.
Pa dashur të përhap panik, se jetojmë edhe në një kohë ku rrjetet sociale shfaqin “ekspertë” të llojllojshëm, por edhe lajme të rrejshme pafund, çështja është tek përgjegjësia.
Në Bejrut, akuzat bëhen mbi autoritetet, për atë se si janë lejuar2750 ton amonium nitrat të ruhen pa masat e duhura. Akuzat përfshinë edhe korrupsion. Dy fjalë aq të përmendura edhe tek ne: Papërgjegjësi dhe Korrupsion.
Por prapë, a mësojmë ne dot nga tragjedi të tilla, apo veç do flasim për pasojat dhe humbjet, që pa dyshim janë të mëdha.
Nuk e di sa e vërtetë është ajo cisternë me kemikale që shfaqet në rrjetet sociale, por “cisterna” të tilla të natyrave të ndryshme ka përplot, që shpërthejnë çdo ditë pa shumë tym e me pasoja, ose që janë gati të eksplodojnë, e të gjitha lidhen me papërgjegjësinë. Ajo fillon që tek momenti kur nuk mblidhen plehrat, kur hidhen pa kujdes, kur helmet rrjedhin në tokë e përhapen heshtur, dhe kur pasojat i ndjejmë të gjithë. Papërgjegjësia fillon kur s’ka kontroll se kush ndërton e ku ndërton, kur rriten kate banesash pa leje e ku përgjegjësit i lejojnë.
Papërgjegjësia fillon kur nuk bëhen rrugët, e ku për shkak të gjendjes së tyre ndodhin aksidente e humbin jetë njerëzish. Papërgjegjësia ndodh kur njerëzit e duhur s’janë në postet e tyre, e pastaj ndodhin vendime të gabuara pasojat e të cilave i ndjejmë të gjithë dhe ku sigurisht humbjet janë të mëdha. Papërgjegjësinë e shohim, kur punësohen të paaftët, e të zotët ikin, e pastaj humbim të gjithë, edhe njerëz, edhe para edhe vendin. Papërgjegjësia dhe “shpërthimet” ndodhin kur nxënësit janë nga 40 në klasë. Humbja është aq e madhe, me breza, sepse mësuesit nuk bëjnë dot punën e tyre si duhet e fëmijët mbesin të cunguar gjithë jetën. Humbjet i ndjejmë të gjithë sepse nuk ka kush ta bëjë zhvillimin.
Dhe kur jemi tek shkollat, German Fillkov, një ish gazetar e tani drejtues i një organizate joqeveritare që monitoron prokurimet publike shkruan në rrjetet sociale: “Që mos ketë mashtrime, veç ta dini se nëse nesër fillojnë shkollat të merren me pajisjen e gjërave që ju duhen sipas protokolleve (për mbrojtje nga kovidi) për arsim të sigurt, nuk do të arrijnë t’i marrin deri në tetor. Ndërkohë nuk pamë as rebalans me çka ju jepet më shumë para për këtë qëllim. Nuk pamë as vlerësim të nevojave, as ndryshime planesh për blerjet, as përgatitje dokumentesh për tenderët, as zbatimin e hapave, as nënshkrim marrëveshjesh, as dorëzimin e gjërave, etj. Të jemi gjallë e shëndosh”.
Epo ja kështu duket papërgjegjësia. Si çdo papërgjegjësi tjetër, që pastaj justifikohet.
Imagjinoni një shpërthim bejrutian me kovid në shkolla, sepse askush s’ka marrë masa edhe pse alarme janë ngritur, sepse në fund askush s’do mbajë përgjegjësi. Libani është shtet i përbërë nga disa etni që kanë përkatësi fetare të ndryshme. Por besimi tek politikanët dhe qeveria është i ulët. Besoj e kuptoni pse?
Klasa politike e korruptuar, nepotizmi i përhapur dhe mbi të gjitha dominojnë interesa të grupeve të caktuara, që asnjëherë nuk arritën të shohin atë të të gjithë qytetarëve të vendit të tyre. Paralele e qartë besoj? Tani qeveria në Liban thotë se të gjithë që janë përgjegjës do të dënohen, familjet e viktimave do të kompensohen. Por a ka vlerë kjo kur njerëzit ikën në amshim nga pakujdesia dhe menaxhimi i keq?
Prandaj më shumë se sa lutje dhe ndjeshmëri, që sigurisht është njerëzore të shprehen, ajo që duhet bërë është presioni për përgjegjshmëri. Njerëzit e gabuar, në vende të gabuara, njerëzit e pangopur dhe pa sens ndaj të mirës të përgjithshme, njerëzit e korruptuar dhe pa dashuri për ligjin, asnjëherë s’mund të sjellin rend dhe zhvillim. Ky është leksioni i hidhur që duhet të marrim, sidomos tani para ndërtimit të institucioneve pas zgjedhjeve parlamentare sepse Bejruti jonë i papërgjegjësisë është kudo!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)