Geret Bejll nuk ka ndërmend të largohet nga Real Madrid dhe synon të jetë i suksesshëm me këtë skuadër, me besimin se gjatë sezonit të ardhshëm nuk do të pengohet nga problemet fizike. 27-vjeçari qëndroi tre muaj pushim gjatë edicionit të kaluar, si pasojë e një dëmtimi në kavilje dhe gjatë gjithë kohës janë ngritur pyetje në lidhje me të ardhmen e tij. Gjithsesi, Bejll ka siguruar se nuk ka ndërmend të largohet nga “Santiago Bernabeu”, pavarësisht nga zërat që e shohin si pjesë e Mançester Junajtedit në edicionin e ardhshëm. Uellsiani, i cili mungoi në barazimin 1-1, që kombëtarja e Uellsit arriti në Serbi, sepse ishte i skualifikuar, po punon veçmas në fushën e lojës, për të qenë 100 për qind i gatshëm për ekipin e Zinedin Zidan, kur të fillojë faza përgatitore në gusht.
Zidan njihet si një simpatizant i Bejll, i cili u ble për 100 milionë euro nga Totenhemi në vitin 2013 dhe deri tani ka shënuar 54 gola në 92 ndeshje të luajtura në La Liga. Gjithsesi, gjatë 4 viteve të tij në kryeqytetin spanjoll, Geret Bejll ka pasur 17 dëmtime që e kanë penguar vazhdimisht. Gjatë qëndrimit në Spanjë, ai ka pësuar 8 tërheqje muskulore. Sipas asaj që ka shkruar shtypi spanjoll kohët e fundit, Real Madridi po përpiqet të forcojë sulmin me një blerje “gjigante” në mekato, ku emrat e përmendur janë ato të Kilain Mbappe i Monako dhe Eden Hazard i Çellsit. Megjithatë, gjatë prezantimit të fanellës për sezonin e ardhshëm të Real Madrid, ishte i pranishëm Geret Bejll si model dhe si për të treguar se uellsiani do të vazhdojë karrierën e tij në Madrid. Real do ta nisë sezonin e ardhshëm duke luajtur në dy Superkupa, atë të Spanjës dhe Evropës, përkatësisht kundër Barcelonës dhe Mançester Junajtedit.