Nëse lojtarët ndonjëherë akuzohen se janë të varfër në fjalë, Geret Bejll mund të qëndrojë si një nga eksponentët më të mëdhenj të përgjigjes së shkurtër. Në një intervistë të botuar sot nga “El Pais”, e cila përpiqet të fitojë një kuptim më të mirë të personit dhe sportistit Bejll, sulmuesi i Real Madridit pranon se ishte e gabuar ta detyronte veten të ishte në finalen e Kardiffit. Lidhur me bilancin e katër viteve në Madrid, ai nënvizon: “Shpresoj që më e mira të vijë. Ka pasur momente të mëdha, edhe pse ndoshta jo aq shumë”. Duke u ndalur të finalja e Ligës së Kampioneve, edicioni i kaluar, uellsiani shton: “Tani mendoj se duhet të kisha marrë më shumë kohë për t’u riaftësuar dhe kështu mund të kisha luajtur shumë më mirë. Po të mos nxitohesha do të kisha qenë në gjendje të bëja të gjitha ato gjëra që me atë dhimbje në kyçin e këmbës nuk isha në gjendje ta bëja”. Dy fjalë edhe për trajnerin Zinedin Zidan: “Ai është shumë i qetë, i pëlqen të kënaqet me futbollin. Kur sulmojmë, ai dëshiron që ne të shprehim veten. Kur mbrojmë, duam që të gjithë ta bëjmë këtë gjë. Na orienton që të qëndrojmë së bashku, si një lojtar i vetëm dhe duke ndihmuar njëri-tjetrin.” Po cili është virtyti më i madh për Bejll? “Nuk e di, mendoj se për aq kohë sa jam i shëndetshëm, si familja ime dhe miqtë, jam shumë i lumtur, nuk mund të kërkoj më shumë.” Po gjëja më e keqe për të? “Jam shumë i heshtur, ndoshta kjo është përgjigja më e mirë”, përfundoi Bejll.