Garet Bejl u bë pak ditë më parë temë diskutimi në Spanjë duke qenë se në kualifikimin për në Europian me skuadrën e tij, festoi me një flamur që solli shumë polemika. Ai zbuloi se 3 gjërat më të rëndësishme në jetë, ishin Uellsi, golfi dhe më pas Real Madridi, duke ngjallur pakënaqësi te tifozeria madrilene.
Megjithatë, Bejl duhet të heqë dorë nga e dyta më e rëndësishme në jetë. Sulmuesi uellsian nuk do të ketë të drejtë të ushtrojë sportin e golfit gjatë kohës që do të jetë i grumbulluar me skuadrën e Uellsit në Europianin e vitit të ardhshëm. Diçka të tillë e ka kërkuar vetë trajneri i Uellsit, Rajan Gigs, fjalët e të cilit i ka komunikuar shefi ekzekutiv i Uellsit, Xhonatan Ford.
“Mund të ketë situata ku futbollistët rrezikojnë që të dëmtohen duke bërë palestër dhe duke luajtur golf. E di se shumë lojtarë mendojnë ndryshe sepse stërviten gjithë ditën dhe duan argëtim, por duhet të ketë kujdes. Kjo iniciativë është aprovuar nga Gigs i cili ka në mendje që gjatë Europianit, përqendrimi të jetë vetëm te topi i futbollit”, tha Ford.