Shkup, 5 qershor – Duhet të kërkoni mënyra kreative për ta përfituar publikun, të keni prirje sipërmarrëse, të mendoni në mënyrë strategjike dhe të planifikoni dhe të keni menaxhment financiar të plotë që të mund të ndjeheni të realizuar në kushtet e sotme, pasi kultura është sferë e garës dhe konkurrencës, porositi ambasadori Xhes Bejli në hapjen e simpoziumit dyditor për menaxhment në art.
Ngjarja mbahet sot dhe nesër në Shkup, në organizim të Ambasadës së SHBA-së në Maqedoni, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe “Lokomotiva” – Qendrën për nisma të reja në art dhe kulturë në Shkup.
Në praninë e rreth tetëdhjetë punonjësve të kulturës dhe ekspertëve nga Maqedonia, ambasadori amerikan theksoi se kudo menaxhimi është i vështirë për sektorin e Kulturës, pa dallim, siç tha, nëse bëhet fjalë për SHBA-në apo Maqedoninë.
“Po ballafaqohemi me resurse të kufizuara, shije të ndryshueshme të publikut, intensitet të vogël të vëmendjes me mediat e sotme sociale. Edhe në SHBA institucionet kulturore mundohen të vijnë deri tek publiku dhe bilanci pozitiv në llogaritë e tyre, por gjithmonë duhet të kërkojnë mënyra kreative se si të fitojnë publik. Nuk mundet vetëm të rrini dhe të prisni publiku të vijë tek ju… Në kërkimin e burimeve për financim është e rëndësishme t’i shtyni njerëzit të marrin pjesë në këshilla drejtues, që do t’u mundësonte menaxherëve në artet të marrin ide të ndryshme për menaxhmentin, për menaxhimin me financat dhe kjo do të ndihmonte që të përforcohen këto institucione”, tha Bejli, i cili ndau përvoja se pse edhe vetë është rritur në familje e cila, tha, është e involvuar në artet.
Nënvizoi se Maqedonia ka shumë gjëra të cilat mund t’i ofrojë në hapësirën e Kulturës, të cilat aspak nuk janë hulumtuar. Ndonjëherë benefiti fitohet edhe prej një shenje të vendosur në shtegun e lokalitetit, duke e potencuar shembullin me Kokinën, ku vitin e kaluar janë vendosur udhëzime dhe shenja për lëvizjen e vizitorëve.
Në fjalimin hyrës Bejli tha se një prej forcave të SHBA-së është ajo që nuk ka Ministri të Kulturës, por ka shumë organizata kushtuar artit dhe kulturës, agjenci qeveritare të cilat kanë role konkrete në realizimin e kulturës.
“Ky është dallim i rëndësishëm, pasi ne nuk e shohim kulturën si diçka që qeveria duhet të merret dhe kjo ide është futur në qasjen tonë të përgjithshme drejt veprimtarisë së kulturës. Edhe krahas asaj që nuk kemi Ministri të Kulturës, ajo është shumë e zhvilluar, pasi institucionet e artit dhe kulturës e përmirësojnë jetën shoqërore dhe performancat ekonomike. Një muze apo një sallë koncertesh, për shembull, janë në mesin e vendeve më të njohura që njerëzit i vizitojnë”, tha ambasadori Bejli.
Ministri i Kulturës, Asaf Ademi, për të cilin kjo ishte ngjarja e tij e parë zyrtare, theksoi se prioritet i Ministrisë është involvimi dhe përmirësimi i bashkëpunimit në nivel kombëtar në sferën e Kulturës.
“Me këtë simpozium do të kemi vizion të mirë për menaxhimin e ardhshëm të institucioneve kulturore, bashkëpunim midis sektorit qeveritar dhe joqeveritar. Ky simpozium do të ndihmojë edhe të fitohen njohuri prej praktikave më të mira për procesin e decentralizimit dhe zhvillimin e kulturës në nivel lokal. E gjithë kjo do të kontribuojë për zhvillimin e kulturës. Jam i bindur se simpoziumi do t’u mundësojë menaxherëve tanë të jenë në hap me rrjedhat botërore dhe se do të ndihmojë për realizimin më të lehtë të politikave të qeverisë për krijimin e kulturës së qëndrueshme, e vendosur prej të gjithëve dhe për të gjithë, e cila do t’i ndjek nevojat e të gjithë qytetarëve”, tha Ademi.