Shtëpia e Bardhë është institucioni i vetëm që mund të konfirmojë nëse Hojt Brajan Ji do të jetë ose jo ambasador i ri i SHBA-vë në Maqedoni. Kështu ka komentuar ambasadori amerikan, Jess Baily lajmin në media se diplomati i lartë i departmanetit amerikan të shtetit, Hojt Ji do ta zëvendësoj atë në postin e ambasadorit në Shkup.
Tani për tani unë jam ambasador i SHBA-ve në Maqedoni dhe aq sa di unë nuk ka pasur nominim nga Shtëpia e Bardhë. I vetmi institucion që mund të ju tregojë nëse lajmi është i vërtetë ose jo, është Shtëpia e Bardhë. Kështu funksionon sistemi ynë- deklaroi Xhes Bejli, Ambasador i SHBA-ve.
Lajmi për ambasadorin e ri amerikan në Shkup u bë i ditur nga televizioni Al Zhazira, por kjo ende nuk është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë. Megjithatë, emri i diplomatit Brajan Ji i njohur si Buldozeri amerikan është përfolur edhe më herët në media. Një zgjidhje e tillë sipas profesorit Veton Latifi do të ishte e mirëseardhur duke marrë parasysh stilin e tij të veçantë diplomatik në ndërmjetësimin dhe lehtësimin e krizave, me rezultate të dëshmuara sidomos në zgjidhjen e kontesteve ndër-fqinjësore, siç është edhe zgjidhja e kontestit të emrit.
Konkretisht do të ishte një konfirmim për hyrje në një fazë drejt lëvizjes për gjetje të një zgjidhjeje konkrete në kontestin rreth emrit, midis Maqedonisë dhe Greqisë. Do të ishte një paralajmërim se dyert e vendit për anëtarësim në NATO në qershor do të ishin të hapura përfundimisht dhe Maqedonia do të kishte mundur të merr datë për fillim të negociatave. Sidoqoftë besohet se zoti Hojt Ji ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në zgjidhjen e shumë krizave në rajon- tha profesori universitar Veton Latifi.
Diplomati Hojt Ji është njohës i mirë i zhvillimeve në rajon. Për këtë flet edhe deklarata e tij e një ditë më parë kur tha se SHBA-të janë të përkushtuar për stabilitetin e rajonit.
SHBA-të kanë qenë prej kohësh të pranishme në Ballkanin Perëndimor dhe synojnë të mos qëndrojë atje për shkak të instinktit altruist, por pasi për ne është e rëndësishme që Ballkani të ketë sukses, të bëhet një vend i begatë…SHBA-të duan të bëhen partner i mirë për Ballkanin Perëndimor dhe BE-në- ka thënë zyrtar i lartë amerikan, Hojt Brajan Ji.
Ndryshe, Hojt Brajan Ji aktualisht është Zëvendës Ndihmës Sekretar për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, përgjegjës për marrëdhëniet e SHBA-ve me vendet e Evropës Qendrore dhe Evropës Jug-Qendrore. Paraprakisht ishte Zv. Shef i Misionit në Ambasadën Amerikane në Zagreb të Kroacisë. Nga viti 2006 deri në vitin 2009 ishte Konsulli i Përgjithshëm në Selanik të Greqisë dhe Zyrtar Kryesor në Podgoricë të Malit të Zi për periudhën 2002-2005. Veç funksioneve të shumta, ai në vitin 1999 punoi në Shtabin e NATO-s si Zëvendës Drejtor i Zyrës Private të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana. (alsat)