Bejli: Mbetet që Parlamenti ta ndërmarrë hapin e ardhshëm

Shkup, 1 tetor  – SHBA-ja fuqishëm e mbështet Marrëveshjen e Prespës. Tani pas referendumit konsultativ mbetet që Parlamenti t’i ndërmarrë hapat e ardhshëm në implementimin e tij, porositi sot ambasadori amerikan Xhes Bejli, duke e përsëritur qëndrimin e Departamentit amerikan të shtetit. “Ne e përshëndesim rezultatin nga referendumi konsultativ në të cilin një numër i madh i qytetarëve janë deklaruar ‘për’ vazhdimin e rrugës së Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së duke e pranuar Marrëveshjen e Prespës. Mendojmë se kjo Marrëveshje të cilën ne fuqishëm e mbështesim e hap rrugën e ardhmërisë së Maqedonisë në NATO dhe BE nga çka benefit do të kenë vendi, qytetarët e vendit, por gjithashtu edhe rajoni, prosperiteti, stabiliteti dhe siguria e tij. Hapi i ardhshëm në implementimin e Marrëveshjes është i Parlamentit. Në këtë kontekst shpresojmë se liderët dhe anëtarët e Parlamentit do t’i lënë mënjanë dallimet politike dhe duke e marrë parasysh interesin më të gjerë të vendit do ta shfrytëzojnë këtë moment historik i cili do të ndihmojë të sigurohet ardhmëria e Maqedonisë në familjen e institucioneve perëndimore diçka që njerëzit e këtij vendi angazhohen që nga pavarësia e vendit”, tha Bejli në pyetjen e gazetarëve pas konferencës për shtyp për referendumin e OSBE/ODIHR dhe të APKE-së në Shkup. I pyetur lidhur me censusin dhe nëse ai është relevant dhe e reflekton qëndrimin e të gjithë qytetarëve, Bejli tha se numrin prej 660 mijë vota, liderët politikë duhet ta marrin parasysh seriozisht gjatë vendimeve për hapat e ardhshëm lidhur me Marrëveshjen.

“Duke shikuar në jehonën, ajo që është me rëndësi se 660 mijë qytetarë kanë dalë të votojnë dhe e mbështesin Marrëveshjen. Ka pasur numër të votuesve të cilët nuk kanë dal të votojnë. Disa dukshëm bojkotuan, të tjerët ndoshta nuk janë në vend ose nuk votojnë. Nëse shikoni në numrin mesatar të votuesve të cilët kanë dal në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni në 20 vitet e fundit, ajo është rreth 1,1 milionë. Kështu që 660 mijë njerëz janë shumicë nga kjo. Ky është numër i konsiderueshëm i votave të cilët liderët politik duhet seriozisht ta marrin parasysh gjatë vendimmarrjes për hapat e ardhshëm lidhur me Marrëveshjen”, theksoi ambasadori Bejli. Lidhur me mundësinë për zgjedhjet e parakohshme dhe si do të reflektojë kjo në implementimin e Marrëveshjes së Prespës, ambasadori amerikan theksoi se ata janë të fokusuar në implementimin e Marrëveshjes. “Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme, ajo është puna e Parlamentit dhe i liderëve politik në vend”, tha ambasadori amerikan Bejli.