I vetëquajturi si grupi më i madh i hakerave në botë, Anonymous lëshoi paralajmërimin; njerëzimi të bëhet gati për Luftën e Tretë Botërore. Përmes një videoje të shpërndarë në internet të shtunën, grupi i hakerave analizon sipas mënyrës së tij një sërë lëvizjesh të fuqive të mëdha për të dalë në përfundimin se lufta është afër dhe e pashmangshme. “Vendet janë duke kryer lëvizjet e tyre strategjike dhe analizimi i përgjithshëm i këtyre lëvizjeve do të thotë luftë. Por, ndryshe nga luftërat që kemi parë deri më tani, edhe pse do të ketë sërish trupa tokësore, lufta që po vjen do të jetë më e ashpër, më brutale dhe do të përfundojë më shpejt”, thuhet në video-mesazhin e hakerave. Si përgatitje lufte grupi vlerëson përforcimet Shteteve të Bashkuara në Azinë Lindore, kundërpërgjigjen e Kinës, paralajmërimet e Japonisë e Rusisë dhe Korenë e Veriut, por pa harruar edhe lëvizjet në Evropë, si nga NATO, ashtu edhe nga Rusia.