Pas publikimit të rezultateve preliminare nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kanë nisur edhe negocitat e para për formimin e koalicioneve. Gazeta Blic nga burime të saja ka marrë vesh se në mëngjesin e sotëm ka pasur një takim ndërmjet liderit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli dhe kandidatit për kryeministër, Albin Kurti.
“Në mëngjesin e sotëm janë takuar lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli dhe Albin Kurti. Në këtë takim është biseduar për mundësinë e një koalicioni paszgjedhor”, thonë burime të Gazetës Blic brenda AKR-së. Në anën tjetër, sipas burimeve të Gazetës Blic brenda AKR-së thonë se nuk ka pasur kurrfarë takimi me PDK-në, për mundësinë e hyrjes në koalicion. Ndërkohë, askush as nga AKR e as nga VV nuk kanë dashur të flasin për mundësinë e një takimi të tillë. Zgjedhjet e djeshme janë konsideruar si më befasueset që nga paslufta. Është Lëvizja Vetëvendosje, ajo e cila ka befasuar, duke e dyfishuar rezultatin.
Ndërkohë kanë mbetur vetëm edhe katër përqind e numërimit të votave nga zgjedhje te mbajtura dje në çdo komunë të Kosovës. Në bazë të këtyre rezultateve të publikuara nga KQZ në prirje e sipër vazhdon të jetë koalicioni PDK-AAK-NISMA, me 34.36 përqind. Lëvizja Vetëvendosje ka rezultat prej 26.86 përqind dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa me 25.77 përqind të votave.