Këngëtarja e hitit “I’m a Mess”, Bebe Rexha është paraqitur e mrekullueshme në tepihun e kuq në ngjarjen e MTV Video Music Awards e cila u mbajt mbrëmë.
E veshur me një fustan të shkurtër ngjyrë hiri dhe plot shkëlqim, këngëtarja 29-vjeçare është dukur tejet elegante dhe plot glamur në mbrëmjen e MTV VMA.
Pos paraqitjes së mrekullueshme, ajo nga ky event nuk doli edhe pa një çmim.
Pas Rita Orës e cila ishte fituese e këtij çmimi vitin e kaluar, është Bebe Rexha ajo e cila mbrëmë ka triumfuar në kategorinë “Kënga më e mirë ritmike”.
Ajo e fitoi këtë çmim për këngën e saj shumë të suksesshme “Call you mine” në bashkëpunim me The Chainsmokers, gjersa ishte e nominuar edhe për këngën tjetër “Say my name” në bashkëpunim me David Guettan dhe J Balvin.
Duke triumfuar në këtë kategori, Bebe Rexha ka lënë prapa këngët e tjera në nominim si: “Solo” nga Clean Bandit dhe Demi Lovato, “Taki taki” nga DJ Snake, Selena Gomez, Ozuna & Cardi B, “Happier” nga Marshmello & Bastille, dhe këngën “Electricity” të kënduar nga shqiptarja tjetër e famshme, Dua Lipa, në bashkëpunim me Silk City.
Bebe Rexha është dukur shumë e lumtur pas fitores së këtij çmimi teksa ka pozuar me trofeun në dorë.