Nga muzika në sferën e të bukurës, është kjo Vlora e cila tashmë ka vite që ka lënë skenën muzikore pas performancave të zhanrit rap dhe i është përkushtuar profesionit të esteistes. Nga Tetova, por jeton në Zvicër, e martuar dhe nënë e dy fëmijëve… ajo vjen në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA ku zbulon më shumë rreth punës së saj
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Na thuaj ndonjë gjë më shumë mbi veten?
Lil Vlora sot është një nënë, grua dhe bashkëshorte shumë e lumtur, jam me prejardhje nga Tetova por jetoj dhe veproj në Zvicër.
KOHA: Nofka ju ka mbetur që kur je marrë me muzikë?
Po, këtë nofkë e kam si e re, atëherë kur hyra ujërave të muzikës, konkretisht kur këndoja rap.
KOHA: Po tani pse nuk merresh me muzikë?
Secila gjë shkon me kohë, lirisht mund të them se kam qenë një nga reperet e para shqiptare, dëshirën time e realizova dhe tash e kanë radhën të rejat, unë kam ambicie të tjera…
KOHA: Ka qenë absurde në atë kohë që një femër të këndojë rap?
Në kohën kur unë këndoja botës shqiptare i dukesha paksa e çuditshme sepse mendonin që rap-i është vetëm për meshkuj, por ja që sot ka shumë repere të reja që bëjnë boom gjithandej duke filluar nga Tayna, Rina, Melinda e tjera…
KOHA: Tashmë merresh me estetikë, si çdo femër që i intereson kjo botë?
Jo vetëm mua po secilës femër i intereson estetika, jam e sigurt që çdo njëra nga ne humb shumë kohë në pasqyrë duke u marrë me pamjen, vet fjala estetikë do të thotë bukuri dhe ku ka më mirë se të merresh me të, unë jam shumë e lumtur kur nga salloni im dalin femrat me ndjenjën se sa bukur duken. Aktivitetin tim e zhvilloj pikërisht në Zvicër…
KOHA: Klientela juaj është kryesisht nga bota e të famshmëve?
Klientet e mia janë të shumtë duke filluar nga emra të njohur të shou bizit ndërkombëtarë por edhe shqiptarë, këtu duhet theksuar edhe klientet e mia që nuk i takojnë botës së njohur por janë femra të suksesshme në profesionet e tyre, nuk mund të flas për ato pasi diskrecioni është i garantuar.
KOHA: Na thuaj çfarë kërkojnë më shumë femrat?
Kryesisht kërkojnë korrigjim të buzëve, mollëzave, ballit dhe korrigjime të ndryshme në fytyrë.
KOHA: Po pika juaj më e fortë në profesion?
Unë për gjithë klientet e mia kujdesem njëjtë dhe shumë profesional pavarësisht a është e famshme apo jo, pika ime e fortë është profesionalizmi.
KOHA: A mund të zhvillohet kjo punë ma ndonjë shkollë profesionale?
Është absurd andaj unë kam vizituar shkolla të njohura nëpër botë ku janë të licencuara në këtë profesion që ushtroj.
KOHA: Ndryshe je e martuar?
Jam e martuar dhe nënë e dy fëmijëve, me bashkëshortin koordinojmë punët si ora zvicerane (qesh).
KOHA: Pa kë nuk mund të kishe jetuar në këtë botë?
Pa familjen time.
KOHA: Këshilla juaj për femrat?
Vetë fjala femër do të thotë bukuri, ndjeshmëri, butësi, le të jenë vetja, le të luftojnë për vetveten dhe mos të harxhojnë jetën duke u bërë viktimë e rrethit, mentalitetit dhe botës së egër maskuliste.