Shkup, 13 prill – Skuadra e Renovës pas trajnerit Vllatko Kostov, i cili dy ditë para ndeshjes kthyese me KF Shkëndija në kuadër të Kupës së Maqedonisë dha dorëheqje dhe e njëjta u pranua nga stafi teknik, ka mbetur edhe pa ndihmësin e saj Dashmir Beari. Këtë lajm për gazetën KOHA e konfirmoi vet Beari. Ai konfirmon se dorëheqjen e bën tani zyrtare, por të njëjtën e ka dhënë dy orë pasi dha dorëheqje Kostovi.
“Pas dorëheqjes së Kostovit realisht edhe unë vendosa të jap dorëheqje dhe të njëjtën ua konfirmova edhe drejtuesve të klubit. Kjo ndodhi në të njëjtën ditë, por vetëm dy orë pasi Kostovi konfirmoi dorëheqjen. Arsyeja për dorëheqjen time është morale, asgjë tjetër. Mendoj se nuk ishte njerëzore të vazhdoj të mbetem në klub”, u shpreh për gazetën KOHA, Beari. Megjithatë edhe pas kësaj Beari do të qëndrojë te Renova, por me detyrë të re. “Unë në fakt kam dhënë dorëheqje nga posti i ndihmësit, mirëpo mbetem te Renova si koordinator i të rinjve, detyrë të cilën e kam ushtruar paralelisht derisa isha ndihmëstrajner”, deklaroi Beari.
Cekim, deri në gjetjen e trajnerit të ri, skuadrën e Renovës po e udhëheq Agron Memedi, ndërsa ndihmës i tij do të jetë Kushtrim Abdullai.