Bashkimi Evropian ka vendosur afate për Poloninë dhe Hungarinë që deri në qershor të këtij viti të fillojnë pranimin e refugjatëve në tokë të tyre, të cilët vijnë nga Italia dhe Greqia, raporton Anadolu Agency (AA). Komisioneri Evropian për Migrim, Dimitris Avramopulos u tha mbrëmë gazetarëve se dështimi në përmbushjen e vendimeve të Brukselit, mund të rezultojë me sanksione për të dyja shtetet. “U bëj thirrje Polonisë dhe Hungarisë të cilat deri më tani nuk kanë pranuar asnjë person, të bëjnë një gjë të tillë”, tha Avramopulos. Ai tha se BE-ja ka mekanizma me të cilat mund të aplikojë gjoba për Poloninë dhe Hungarinë.
“Nëse nuk ndërmarrin asnjë veprim deri në përpilimin e raportit të ardhshëm të Komisionit Evropian në qershor, Komisioni nuk do të hezitojë të përdor pushtetin e tij në bazë të kontratave të nënshkruara dhe të nis procedura të ndëshkimit”, tha Avramopoulos. Mbi 45.000 persona këtë vit kanë mbërritur në Itali nga Afrika e Veriut përmes gomoneve që është për 40 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016. Hungaria dhe Sllovakia kanë dorëzuar një ankesë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë duke sfiduar kuotat e BE-së për emigrantët, me arsyetimin se shpërndarja e tillë në mesin e shteteve anëtare është e paligjshme.