Mosdhënia e datës për fillim të negociatave, nuk ndëshkon qytetarët, por ndëshkon pushtetin i cili menaxhon në mënyrë të papërgjegjshme dhe sipërfaqësore. Dhe nëse nuk merren hapa konkret, e njëjta do të na ndodh edhe në shtator!
Nga Abdush DEMIRI
Bashkimi Evropian ka besim tek Maqedonia e Veriut dhe qytetarët e saj. Këtë e dëshmon edhe përkushtimi i saj që vendi jonë të jetë anëtare e NATO-s si dhe vullneti që vendi të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Por pas qëndrimit të fundit të vendeve më të rëndësishme të BE-së që Maqedonia e Veriut të presë edhe disa muaj për një përgjigje eventuale pozitive, po ashtu, dëshmon se BE-ja, vazhdon të ketë dyshim tek politikanët e vendit dhe institucionet e sistemit. Nuk duhen analiza të mëdha dhe të thella për të dëshmuar të gjithë këtë. Mjafton vetëm të lexohet raporti i fundit e Komisionit Evopian, por edhe raportet e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, të cilat flasin qartë për gjendjen e institucioneve të sistemit.
Fokusi i thuajse të gjitha raporteve vazhdon të mbetet tek kaosi institucional. Qytetarët ende nuk kanë administratën e cila do u shërbejë në mënyrë profesionale, pa maltretime dhe pa shpenzime marramendëse. Madje, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat vazhdon të mbetet çështje e pazgjidhur, ku në pjesën më të madhe të institucioneve, shqiptarët vazhdojnë të jenë të përfaqësuar me më pakë se 10 %. Nga ana tjetër, lulëzoi nepotizmi. Funksionarët e pushtetit të ashtuquajtur reformator, nuk lanë asnjë vend bosh në drejtori dhe institucion ku kuptohet, pagat janë të majme krahasuar me pagën mesatare, ose me atë që marrin administratorët e tjerë. Dhe për të gjithë këtë, ende nuk ka asnjë përgjegjësi!
Gjyqësori vazhdon të mbetet plaga më e rëndë e shoqërisë. Përveç që u amnistuan kriminelët që shkaktuan 27 prillin, ata që sollën vendin në falimentim, edhe pushteti aktual, vazhdoi me emërimin e prokurorëve dhe gjykatësve partiak, nga të cilët nuk është parë asnjë vendim gjyqësor ku dënohet krimi dhe korrupsioni. Kjo dëshmoi se reformat janë vetëm sipërfaqësore dhe jo esenciale. Të mos harrojmë se BE, nuk i dëshiron uzurpatorët e shtetit dhe kriminelët. Këtu edhe i ka ngecur “sharra në gozhdë” kryeministrit Zoran Zaev. Ai shumë shpejtë harroi se në pushtet, ka gjysmën e regjimit të Nikolla Gruevskit, të cilët bashkërisht shkatërruan vendin. Edhe sot e kësaj dite, në poste kyçe janë funksionarët shqiptarë të cilët deri në vitin 2016 akuzoheshin për keqpërdorim të posteve të tyre. Janë ata të cilët po ashtu kanë lëndë të hapura nëpër prokurori dhe gjykata. A thua u beson Evropa dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, politikanëve të këtillë, që 11 vite e shkatërruan vendin si bashkëpunëtor të Gruevskit dhe tani ecin për dore me Zaevin?! Besoj se kryeministri përgjigjen e mori në Berlin! Në planin ekonomik, qytetarët vazhdojnë për çdo ditë e më tepër të varfërohen dhe assesi të marrin paga më të mëdha, madje shumë të vogla nga paga mesatare e premtuar. Ndërsa faktori kryesor i uljes së papunësisë është migrimi. Rradhët e gjata para ambasadave të shteteve të BE-së e dëshmojnë më së miri këtë. Dhe fatkeqësisht, asnjë plan, asnjë strategji konkrete për të parandaluar rininë që të mbetet në vendlindje.
Lirinë e shprehjes së qytetarëve e dëshmojnë edhe raportet se sa larg shteteve të rajonit është liria e mediave në vendin tonë. Ndërsa kritikat më të theksuara nga faktori ndërkombëtar vazhdojnë të jenë tek informimi i drejtë i qytetarëve. Fakt edhe më shqetësues është se pushtetit aktual po i dështojnë shtyllat kryesore të konceptit i cili i solli në pushtet. “Një shoqëri për të gjithë” dhe “Qytetar të barabartë”, janë koncepte që dështuan ku në vend që kryeministri, Qeveria, presidenti dhe organet e rendit të ndëshkojnë tifozët që shanë dhe fyen rëndë shqiptarët, ata bënë të kundërtën, i shpërblyen me para nga buxheti! Madje kalon lehtë edhe rasti kur shqiptarët që afirmojnë shtetin dhe mbrojnë flamurin e tij, nënçmohen dhe u kufizohen qëndrimi nëpër lokale.
Kur të gjithë këto dështime ndodhin rrjedhazi dhe pa asnjë veprim për parandalim, atëherë a ka të drejtë familja evropiane që “të na tërheq veshin” dhe të na thotë: “Punoni edhe disa muaj, e pastaj do mendohemi”. Dhe pas të gjitha këtyre, mosdhënia e datës për fillim të negociatave, nuk ndëshkon qytetarët, por ndëshkon pushtetin i cili menaxhon në mënyrë të papërgjegjshme dhe sipërfaqësore. Dhe nëse nuk merren hapa konkret, e njëjta do të na ndodh edhe në shtator! (koha.mk)