Bashkimi Evropian ka nisur një proces disiplinor të quajtur “Procedura e Deficitit të Tepruar” ndaj Italisë, me arsyetimin se projekt-buxheti i Italisë për vitin 2019 nuk i përshtatet rregullave dhe nuk e zvogëlon borxhin publik, transmeton Anadolu Agency.
Anëtarët e Komisionit Evropian në takimin javor diskutuan për nisjen apo jo të procesit disiplinor ndaj Italisë për shkak të borxhit të lartë publik dhe deficitit në projekt-buxhetin për vitin 2019.
KE pas këtij takimi njoftoi se ka marrë vendim për nisjen e procesit disiplinor me arsyetimin se në projekt-buxhetin e Italisë për vitin 2019 nuk janë marrë masat efektive për uljen e borxhit publik ekstrem të lartë.
Sipas rregullave të BE-së, deficiti i shteteve anëtare duhet të jetë më i ulët se 3 për qind nga Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa borxhi publik nën 60 për qind të PBB-së. Kur tejkalohet ky kufi, duhet të njoftohen masat që do të zbatohen dhe duhet të zhvillohet një luftë efektive në këtë drejtim.
Në bazë të vendimit të parë, ndaj Italisë do të zbatohet “Procedura e Deficitit të Tepruar”. Në fund të procedurës në fjalë, mund të zbatohen sanksione financiare ndaj Italisë.
Kriza për “buxhet” në mes të Italisë dhe BE-së
Deficiti buxhetor i Italisë për vitin e ardhshëm kishte për synim të jetë në nivelin rreth 1,6 për qind, por qeveria pas negociatave të shumta mori vendim që buxhetit t’i jepet një deficit shtesë prej 0,8 për qind me qëllim që t’i përmbushë premtimet si të ardhurat që do t’u ofrohen të papunëve (pagesë mujore për nevojtarë), reforma për ri-uljen e moshës së pensionimit, ndihmë për të prekurit nga kriza bankare, amnistia e taksave dhe norma fikse e taksave.
Në projekt-buxhetin e qeverisë, i cili më 15 tetor iu dërgua KE-së, synimi për deficit buxhetor për vitin e ardhshëm në krahasim me PBB-në ishte 2,4 për qind. Italia ka njoftuar se në vitin 2020 deficitin buxhetor do ta ulë në 2,1 për qind, ndërsa në vitin 2021 në 1,8 për qind. Institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare kritikuan këtë plan buxhetor të Italisë.
KE më 23 tetor refuzoi planin për projekt-buxhetin e Italisë për vitin 2019 me arsyetimin se ka mospërshtatje serioze me rregullat financiare të Unionit.
Pas Greqisë, Italia është shteti me më shumë borxh publik sipas të ardhurave publike në BE. Në bazë të rregullave të BE-së, Italia duhet ta zvogëlojë borxhin e saj.