BE – Kosovë: Vizat dhe tarifa doganore çështjet që dominojnë

Të martën Komisioni i Parlamentit të Bashkimit Evropian për Siguri në dhe Politikën e Jashtme, diskutoi për gjendjen e sigurisë në Kosovë, ku u tha se gjendja është e qendrueshme por delikate.

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovarët dhe çështja e tarifës prej 100 për qind ndaj importeve të Serbisë dhe Bosnjës në Kosovë mbeten dy çështje që dominojnë marrëdhëniet e Kosovës me BE-në e ndonjëherë edhe tërheqin vëmendjen nga progresi që bëhet në vend, mendojnë ekspertët nga BE-ja dhe parlamentarët evropianë.

David Cullen nga zyra e Komisionit të BE-së për politikën e jashtme përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, tha se “çëstja e tarifave ka hedhur hije ndaj shumë punëve të mira që janë duke u bërë”. Ndër të tjera ai përmendi adaptimin e një numri të madh të ligjeve që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës në luftën kundër terrorizmit.

Sipas Cullen institucionet e Kosovës kanë reaguar si duhet në ndaljen e kosovarëve nga vajtja në Siri, gjatë tre viteve të fundit. Mirëpo Cullen në raportimin e tij para deputetëve të Parlamentit Evropian shtoi, se në Kosovë ajo që mbetet sfidë është “lufta kundër krimit të organizuar”.

Liberalizimi i vizave për kosovarët

Deri tash Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian që janë dy institucionet kryesore të unionit kanë kërkuar që kosovarëve t’iu hiqen vizat pasi janë plotësuar kushtet e vendosura më parë. Çështja që ka mbetur tek një vendim i vendeve anëtare, ka shkaktuar problem të kredibilitetit për institucionet e BE-së.

Igor Soltes, deputet nga Sllovenia, parlamentar nga partia e gjelbër, tha se kosovarët nuk bëjnë dallim në mes të institucioneve të BE-së, dhe me të drejtë. Soltes tha se liberalizimi i vizave duhet të bëhet sa më shpejtë, pasi vihet të pikëpyetje krdibiliteti i BE-së. Me këtë u pajtua edhe Cullen, i cili tregoi se sa herë udhëton në Kosovë ai si zyrtar i Komisionit Evropian e pyesin për vizat. “Ne komisioni jemi ata që kemi kërkuar heqjen e vizave”, tha Cullen.

Në këtë diskutim e mori fjalën edhe liberali suedez Jasenko Selimoviq, i cili tha thjeshtë: “Kemi arritur në një situatë të mosbesimit”, ku BE-ja nuk e ka mbajtur fjalën.

Tarifa dhe kërkesat e vazhdueshme për heqjen e saj

David Mcallister anëtar i Krtistian Demokratëve të Gjermanisë kërkoi nga ekspertët e Komisionit Evropian që të shohin se çfarë mund të bëhet në mënyrë që të hiqet tarifa që shihet si bllokadë për vazhdimin e dialogut. David Cullen tregoi për takime të shumta që janë bërë me zyrtarët kosovarë, disa prej të cilave kanë zgjatur edhe 7 orë dhe deklarimet e shumta. Këto përpjekje dhe mungesa e rezultatit u shpjeguan nga Anna Maria Boura nga Komisioni Evropian, e cila tha se tarifa ka qenë një vendim që ka bashkuar të gjithë shoqërinë “e fragmentuar” kosovare.

“Tarifat dhe transformimi i FSK-së janë vendime popullore dhe sjellim unitet në një atmosferë të fragmentalizuar. Ato janë shumë popullore”, tha ajo. “Është një gjë që i bën kosovarët të ndjehen mirë për veten”.

“Komisioneri Hahn dhe Malstrom kanë dërguar letra për të treguar qëndrimin tonë te kosovarët”. Mendoj se tani jemi duke parë “sinjalet e para se mesazhi ynë është duke u dëgjuar”, tha Boura.

Transformimi i FSK-së dhe siguria

Nga ana e tij komandanti i forcave të KFOR- it Gjeneral Majori D’Addario, tha, se ai frikësohet nga krijimi i një situate ku një shkëndijë mund të shkaktojë trazira. Ai tha, se ata ballafaqohen me shumë sfida të krijuara nga lajmet e rreme, që skaktojnë tensione. Ai përmendi një titull nga muaji dhjetor që thoshte se FSK-ja do të “pushtojë” veriun më 31 dhjetor në ora 22:00.

“Për mua kërcënimi më i madh është një mjedis, i cili mund të shpërthente nga një incident i vetëm në diçka më të madhe”, tha D’Addario. Ai tha se KFOR-i që e ka mandatin nga rezoluta 1244 është në situatë të mirë të ofrojë mjedist të sigurt, pasi është në kontakt edhe me Komandën e Lartë të Ushtrisë së Serbisë edhe FSK-së. Më tej, D’Adario tha se me ftesat e reja për intervista të ish-komandantëve të UÇK-së nuk ka pasur kërcënim të sigurisë.