Bruksel, 28 janar – Bashkimi Evropian, më kërkesë të Francës, e aktivizoi Mekanizmin e përbashkët për mbrojtje civile në mënyrë që të sigurojë mbështetje konsullore për qytetarët e BE-së në qytetin kinez Vuhan, i cili është në karantinë për shkak të parandalimit të epidemisë të koronavirusit të ri.
Komisioni Evropian paralajmëroi se me aktivizimin e Mekanizmit do të dërgohen dy aeroplanë për transportimin e qytetarëve të BE-së nga Vuhani në Evropë.
Komisioni Evropian ju bëri thirrje të gjithë qytetarëve të BE-së, pavarësisht kombësisë, të cilët momentalisht ndodhen në rajonin e Vuhanit, ndërsa dëshirojnë të evakuohen, të paraqiten në zyrat përfaqësuese diplomatike.
Shifrat e para tregojnë se rreth 250 shtetas francezë do të transportohen me aeroplanin e parë me edhe 100 qytetarë të tjerë të vendeve-anëtare të cilët e presin aeroplanin e radhës.
“Qendra jonë për koordinim të krizave punon vazhdimisht dhe është në kontakt të vazhdueshëm me shtetet-anëtare, delegacionet e BE-së në rajon dhe ambasadën kineze në Bruksel. Nëse është e nevojshme, do të mobilizohet mbështetja shtesë e BE-së”, tha komisari për menaxhim me krizat, Janez Lenarçiç.
Në Komisionin Evropian theksojnë se janë të gatshëm t’u ndihmojnë vendeve-anëtare me përgjigje “të fortë dhe të koordinuar” të situatës me koronavirusin e ri, i cili “edhe më tej zhvillohet”.
Ata thonë se kërkesa franceze është kërkesa e parë për aktivizimin e mekanizmave të përbashkëta për mbrojten civile të BE-së në rastin e epidemisë së koronavirusit, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që në ditët vijuese të vijnë kërkesa të reja.(koha.mk)