Bruksel, 21 qershor – Pas vendimit të sotëm të njëzëshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që ta sanksionojnë regjimin e presidentit bjellorus, është njoftuar se këto sanksione ndërmerren në koordinim me tre partnerët e tjerë perëndimorë.
Në një deklaratë të përbashkët të SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë dhe BE-së shprehet shqetësim i thellë për shkak të sulmeve të vazhdueshme të regjimit të presidentit Aleksandër Llukashenko ndaj të drejtave të njeriut, lirive themelore dhe të drejtës ndërkombëtare.
“Sot ndërmorëm sanksione të koordinuara si përgjigje për zbritjen e dhunshme të fluturimit komercial të RajanEr më 23 maj ndërmjet dy vendeve anëtare dhe arrestimit me motive politike të gazetarit Roman Pratasheviq dhe partneres së tij, Sofija Sapega, deklaruan nga kabineti i përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme të BE-së, Zhozep Borel, i cili kryeson me Këshillin e sotëm të ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së.
SHBA-ja, BE-ja, Kanadaja dhe Mbretëria e Bashkuar deklaruan se janë të vendosur që t’i mbështesin aspiratat demokratike të popullit bjellorus dhe bashkë do t’ia paguajnë çmimin Llukashenkos për mosrespektim të detyrimeve ndërkombëtare.
“Jemi të bashkuar në thirrjen që regjimi t’i japë fund praktikave represive kundër popullit të tij. Jemi të dëshpëruar që regjimi zgjodhi t’ia kthejë shpinën detyrimeve të tij ndaj të drejtave të njeriut, respektimin e parimeve demokratike dhe angazhimit me bashkësinë ndërkombëtare”, qëndron në dënimin e përbashkët.
Me këtë forcat e mëdha perëndimore dërgojnë porosi se nuk do të ndalojnë të bëjnë presion ndaj presidentit bjellorus derisa nuk mundëson hetim për rastet e 23 majit, derisa nuk i liron të burgosurit politikë, por edhe derisa nuk i përmbushë kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare të cilat dalin nga zgjedhjet e vitit të kaluar. BE-ja dhe partnerët e saj presin nga regjimi i Llukashenkos që të hapë dialog të sinqertë politik me opozitarët dhe shoqërinë civile.