Tiranë, 6 dhjetor – Komisioni Evropian miratoi programin vjetor të masave 2018 për Shqipërinë, me të cilin BE-ja siguron 94 milionë euro për ta mbështetur Shqipërinë në procesin e integrimit evropian.
Programi fokusohet në çështjet thelbësore për pranimin në BE, të tilla si shteti ligjor, zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit.
Fondet e BE-së do të përqendrohen në forcimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër korrupsionit, duke vazhduar mbështetjen për zbatimin e reformës në drejtësi.
Programi gjithashtu do ta ndihmojë Shqipërinë për të përmirësuar efikasitetin dhe efektivitetin e autoriteteve të zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës. Ai gjithashtu do t’i plotësojë këto masa me investime në zhvillimin social-ekonomik të zonave të prekura.
Duke njohur potencialin e madh të turizmit për rritjen ekonomike në Shqipëri, fondet e BE-së do të kontribuojnë gjithashtu për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe promovimin e turizmit të cilësisë së lartë dhe të qëndrueshëm.
Mbrojtja e mjedisit jetësor, dhe veçanërisht trajtimi i ujërave të zeza, është prioritet i asistencës së BE-së. Vlerësohet se përmirësimi i cilësisë së ujit dhe kushteve më të mira sanitare do të kontribuojnë gjithashtu për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror në dobi të qytetarëve shqiptarë.
Për vendimin e miratimit të 94 milionë eurove për Shqipërinë, u prononcua ambasadori në Tiranë, Luixhi Soreca, i cili vlerëson se bëhet fjalë për mbështetje konkrete për zhvillimin e reformave për integrim, sundimin e së drejtës dhe zhvillimin ekonomiko-socail të vendit.