Bashkimi Evropian mbështet versionin aktual të marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi. Rikonfirmimin e këtij qëndrimi e ka bërë në Prishtinë drejtoresha për Evropën Perëndimore dhe Ballkanin Perëndimor në Shërbimin e Jashtëm Evropian, Angelina Eichhorst, raporton KTV. Pas takimeve me liderët e shtetit, Eichhorst tha se këtë ia ka bërë të qartë edhe kryeministrit Ramush Haradinaj, derisa ky i fundit nuk është prononcuar për media. Ndërsa, sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, Eichhorst ka kërkuar përmbushjen e kritereve, luftimin e korrupsionit dhe ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi. Eichhorst, gjatë vizitës në Kosovë, është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli. As pas këtij takimi, kryeparlamentari Veseli nuk është deklaruar për media. Zyrtarja e BE-së është takuar edhe me kryetarin e Vetëvendosjes, Visar Ymeri, dhe me shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.