Bashkimi Evropian i ka kërkuar partive politike që të mos shpërbëjnë Kuvendin e Kosovës para datës 22 gusht, duke i prishur planet e partive politike, të cilat pothuajse ishin dakorduar të shpërndanin Kuvendin këtë javë, më konkretisht më 6 gusht.
Misioni i BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve nuk do të mund të jetë i pranishëm para gjysmës së muajit shtator, duke determinuar kështu edhe kohën se kur të shpallen zgjedhjet pas shpërndarjes.
Këtë e bëri të ditur edhe vetë shefi i Grupit Parlamentar të NISMA Socialdemokrate, Bilall Sherifi, para gazetarëve.
“Data e shpërbërjes është 22 gushti. E kërkoi edhe BE-ja për shkak të misionit vëzhgues”, deklaroi Sherifi pas mbledhjes së kryesisë.