Shkup, 20 shtator Përforcim i kapaciteteve të administratës lokale dhe të sektorit civil për bashkëpunim transparent është prioritet i projektit për bashkëpunimin e autoriteteve lokale dhe organizatave joqeveritare të Ballkanit Perëndimor, për të cilin Bashkimi Evropian i ndau 10 milionë euro, theksoi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Suhejl Fazliu në konferencën e sotme rajonale për promovimin e demokracisë lokale në Ballkanin Perëndimor.
Ai theksoi se bëhet fjalë për një projekt shumë të suksesshëm i cili për herë të parë ka filluar të zbatohet në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa më pas, siç theksoi, gjëja më e suksesshme e këtij projekti është që arriti të shumëfishohet.
“Në vitin 2017 Bashkimi Evropian i ndau 10 milionë euro në mënyrë që projekti të jetë rajonal në të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, theksoi Fazliu.
Ai theksoi se qëllimi kryesor i projektit është financimi më i suksesshëm i organizatave joqeveritare lokale nga ana e autoriteteve lokale.
“Rreth 40.000 qytetarë do të fitojnë mjete në 50 qytete dhe komuna në të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Fazliu.
Ministri Fazliu potencoi se projekti zbatohet nga viti 2017 deri në vitin 2020, ndërsa për atë do të shpallet konkurs publik sipas kritereve të cilat do t’i vendos UNDP-ja në bazë të asaj cilat organizata joqeveritare do t’i fitojnë grantet.
“Në Ballkanin Perëndimor ka autoritete lokale të cilat përballen me probleme lidhur me mungesën e burimeve njerëzore, mungesën e burimeve financiare, por edhe pjesëmarrjen e pamjaftueshme nga sektori civil”, theksoi Nikolla Bertolini, përfaqësues i Delegacionit të BE-së në Maqedoni.
Ai tha se nga përvoja të cilën e kanë me UNDP-në në BeH kanë parë se në fakt, projekti mund të bëjë dallim dhe se mund të fillojë një proces i pilotimit të bashkëpunimit më të mirë midis autoriteteve lokale dhe sektorit civil.
“Thelbi i këtij projekti është shpërndarja më e mirë dhe më transparente e mjeteve nga autoritetet lokale të organizatave nga sektori civil, por gjithashtu, rëndësi të madhe ka edhe rritja e kapaciteteve të të punësuarve në vetëqeverisjen lokale”, tha Bertolini.
Ai potencoi se demokracia lokale në fakt, fillon nga sigurimi i mjeteve të cilët do të mund të sigurojnë shërbime për vetë qytetarët, ndërsa organizatat civile, shtoi, gjithashtu duhet të dinë se si të marrin pjesë dhe si ta shfrytëzojnë këtë proces.
“Me të vërtetë jemi krenarë që jemi partnerë dhe që e zbatuam këtë program në Maqedoni. Elementi kryesor i këtij programi është të përforcohet dhe të përmirësohet bashkëpunimi midis autoriteteve lokale dhe sektorit civil, ndërsa ne konsiderojmë se ai është element kyç për arritjen e një demokracie participative”, theksoi Narine Sahakijan, zëvendësi i përfaqësueses së përhershme të UNDP-së në Maqedoni.