Bashkimi Evropian e mbështet thirrjen e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për armëpushim global, derisa zgjatë lufta kundër pandemisë së koronavirusit.
“Luftimi i kësaj pandemie globale, e cila merr kaq shumë jetë dhe paraqet sfidë për funksionimin e shoqërive tona, është sfidë precedent që kërkon unitet global, bashkëpunim dhe solidaritet”, qëndron në kumtesën e shërbimit diplomatik evropian.
Sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh ka bërë thirrje që armët të vendosen kudo në botë gjatë kësaj krize shëndetësore.
Bashkimi Evropian paralajmëron se pandemia mund të përkeqësojë krizat ushtarake në botë.
“Tani, më shumë se kurrë, është koha për të rënë dakord për armëpushim botëror, të ndalojmë të gjitha konfliktet e armatosura dhe të ndalojmë menjëherë luftimet”, bën thirrje BE-ja.
BE kërkon urgjentisht nga të gjitha palët e përfshira në konflikt të orientohen rreth zgjidhjes politike dhe të respektojnë plotësisht parimet e ligjit humanitar ndërkombëtar, kështu duke siguruar qasje të papenguar në ndihmën humanitare, veçanërisht në kontekstin e pandemisë.
“Tani është koha për solidaritet ndërkombëtar, tani është koha të përkushtojmë gjithë energjinë dhe burimet tona për të luftuar këtë sfidë të përbashkët – koronavirus. Koha është për t’u përqendruar në shëndetin global”, bën thirrje BE-ja.(koha.mk)