Shefja e diplomacisë evropiane Federika Mogerini dhe eurokomisari për zgjerim Johanes Han, të parët u deklaruan pas votimit për ndryshimet kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë sonte, njofton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Në emër të Bashkimit Evropian, Mogerini dhe Hani “me gjithë zemër” i urojnë Kuvendit për “hapin krucial ndaj implementimit të Marrëveshjes së Prespës”.
“Liderët politik dhe qytetarët e treguan përgjegjësinë e tyre për ta kapur këtë moment unik historik për zgjidhjen e njërit prej kontesteve më të vjetër në rajon dhe me vendosmëri të lëvizin përpara në rrugën drejt BE-së”, theksojnë Mogerini dhe Han.
BE-ja, thonë ata, fuqishëm e mbështet marrëveshjen e Prespës e cila “vendos shembull për pajtim për rajonin dhe për tërë Evropën”.
“Derisa i presim hapat e ardhshëm të cilat çojnë deri në implementimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës, BE-ja mbetet fuqishëm e përkushtuar të vazhdojë ta shoqërojë dhe mbështesë vendin në synimin e përbashkët të integrimit të BE-së”, ka shkruar Hani dhe Mogerini.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg nga ana e tij i dërgoi tuit të drejtpërdrejtë kryeministrit Zoran Zaev për t’i uruar për votimin përfundimtar të Kuvendit.
“NATO-ja fuqishëm e mbështet implementimin e plotë të Marrëveshjeve, që është kontribut i rëndësishëm për një rajon stabil dhe me prosperitet”, porositi Stoltenberg.
Eurodeputeti Eduard Kukan nga EPP-ja gjithashtu u uroi deputetëve për, siç tha, votimin e “përgjegjshëm” të ndryshimeve kushtetuese, të cilat e hapin rrugën për implementimin e Marrëveshjes së Prespës.
“Me padurim e pres ardhmërinë euroatlantike të Maqedonisë së Veriut”, ka postuar në Tuiter, Kukan